Nga Julian Hoxha
Afera e Inceneratorit është një biznes qeveritar dhe me lidhje të dyshimta që shkojnë përtej Shqipërisë…
Deklarata e Arben Ahmetajt për pronësinë e djegësit të Tiranës, ngre pikëpyetje të reja, por njëkohësisht edhe pista të tjera hetimit. Emisioni ‘Plug’, do të hedh dritë mbi pronësinë e Inceneratorit të Tiranës, por jo vetëm, dhe si ky biznes ka marrë bekim dhe garanci qeveritare për të vijuar aktivitetin pa asnjë pengesë, pavarësisht hetimeve të kryera deri më tani nga SPAK.
Kësaj pikëpyetje, emisioni ‘Plug’ do mundohet t`i japë përgjigje, duke zbërthyer skemën e pronësisë së inceneratorëve të Tiranës.
Do të marrin përgjigje pyetjet se:
Kush janë pronarët faktikë të inceneratorit të Tiranës?
Cilat janë kompanitë që fshihen pas aferës?
Cilat janë lidhjet e tyre me Iranin dhe Rusët?
A fshihet Erion Veliaj direkt pas pronësisë së inceneratorit të Tiranës?
Pse SPAK ka hetuar vetëm në sipërfaqe skemën e pronësisë së inceneratorëve dhe nuk i ka shkuar asaj deri në fund, ndonëse ka pasur indicie të mjaftueshme për të zbërthyer këtë skemë?
Le ta nisim nga nënshkrimi i kontratës. Në 31 gusht të vitit 2017, lidhet midis Ministrisë së Mjedisit si autoritet kontraktor dhe kompanisë Integrated Energy BV SPV, kontrata e koncensionit me objekt ‘Ndërtimi i landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimi i vendepozitimit ekzitues, Tiranë.
Kontrata parashikonte ndërtimin dhe operimin e inceneratorit të Tiranës, i cili do të duhet të kryente djegien e mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë.
Kompania që do të zbatonte kontratën kocensionare, ishte ‘Integrated Energy BV’.
Për shkak se më herët kemi trajtuar procedurën dhe mënyrën si kjo kompani përfitoi kontratën koncensionare, në këtë emision do të flasim vetëm për strukturën pronësore të kompanisë, duke qartësuar a është ky një biznës me garanci qeveritare. Nga dokumentacioni i administruar rezulton se në Akt themelimin e shoqërisë ‘ ‘Integrated Energy B.V, (sot me emrin e ri tregtar ‘Geogenix B.V’) janë 3 aksionerë:
‘Integrated Technology Services’ sh.pk, me adresë zyre rruga ‘Abdi Toptani’, godina ‘Torre Drin’, Tiranë, me administrator shtetasin Klodian Agim Zoto.
‘Energy Recuperator S.P.A’ me përfaqësues ligjor shtetasin Ernesto Granelli, lindur në Carpenedolo, Itali, i datëlindjes 08.12.1944.
Paul Wurth Italia SPA’, me përfaqësues ligjor shtetasen Thота Balter Hanisminan lindur në Aachen, Gjermani me datë 23.10.1961,
Këto tre kompani, pra ‘Paul Uurth Italia S.P.A’ aksioner me 45%, ‘Energy Recuperator S.P.A’ aksioner me 30% dhe ‘Integrated Technology Services’ aksioner me 25%, autorizuan shtetasin Freek Hilberdink që të themelonte kompaninë ‘Integrated Energy BV’ në Hollandë. Themelimi i kësaj shoqërie është bërë në datën 19 gusht 2016 pranë noterit hollandez në Amsterdam, Gilian Renkema.
Kompania ‘Integrated energy B.V’ me seli në Hollandë, pati si kapital themeltar shumën e 50 mijë eurove, të ndara nominalisht në aksion prej 1 euro. Aksionet janë zotëruar në mënyrë të tillë: 22500 aksione ose 45 përqind e tyre nga kompania ‘Paul Uurth Italia S.P.A., 15.000 aksione ose 30% nga ‘Energy Recuperator S.PA’; (themeluesi 2); 12.500 aksione ose 25% nga ‘Integrated Technology Services ‘sh.pk themeluesi 3.
Kjo marrëdhënie bashkëpunimi mes tre kompanive, Paul Ëurth Italia, Energy Recuperator dhe Integrated Technology Services, si themeluese të kompanisë Integrated Energy BV, ishte parashikuar të zgjaste deri në momentin që do të përfitohej kontrata koncensionare e inceneratorit të Tiranës. Arsyeja ishte e thjeshtë, duheshin përdorur për procedurën tenderuese.
Që të fitohej kontrata koncesionare, duhej që kompanitë pjesëmarrëse në garë të garantonin autoritetin kontraktor, se kishin kapitalin e nevojshëm për të kryer investimin prej 128 milionë euro të parashikuar në studimin e fizibilitetit. Për këtë arsye, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përdorën kompaninë italiane, Paul Ëurth Italia. Një ndër kriteret kryesore të vlerësimit të kontratës koncesionare është kapaciteti financiar dhe eksperienca ndërkombëtare e aksionerëve.
Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur emrin e kompanisë Paul Ëurth Italia, vetëm për të plotësuar formalisht kriteret financiare për të përballuar investimin 128 milionë euro. Vetëm katër muaj pasi u lidh marrëveshja mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë bijë të këtyre kompanive, Integrated Energy B.V. SPV, me përfaqësues Klodian Zoton, dy kompanitë themeluese u tërhoqën nga shoqëria holandeze Intevgrated Energy BV, duke ia shitur aksionet, kompanisë Integrated Technology Service të Klodian Zotos. Në kontratën e shitjes të datës 28.12.2017 midis Paul Ëurth Italia (shitës) dhe Integrated Technology Services (blerës) parashikohet se:
Në përputhje me marrëveshjen paraprake të bashkëpunimit të datës 29.07.2016 midis palës shitëse dhe blerëse parashikohet që në momentin e përfitimit të kontratës koncesionare nga autoritetet lokale, shitësi duhet të transferojë aksionet te blerësi, dhe se çmimi i blerjes është 22.500 euro.’
E njëjta gjë ndodhi dhe me themeluesen tjetër të Integrated Energy BV në Hollandë, kompaninë Energy Recuperator. Në kontratën e shitjes, të datës 12 janar 2018, midis Energy Recuperator, shitës dhe Integrated Technology Services, blerës parashikohet se:
‘Në datën 29.07.2016 midis palès shitëse dhe blerëse është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në të cilën është vendosur që në momentin e përfitimit të kontratës koncesionare nga autoritetet lokale shitësi duhet të transferojë aksionet te bleresi dhe se çmimi i blerjes është 15.000 euro.’
Pra ishte përcaktuar më një marrëveshje 3 javë përpara themelimit të kompanisë Integrated Energy BV që do të ishin vetëm për të mashtruar autoritetet shqiptare.
Si rrjedhojë, në datën 12.01.2018, Integrated Technology Services me aksioner të vetëm Klodian Zoto bëhet 100% aksioner i kompanisë Integrated Energy BV, me seli në Hollandë. Pra, deri këtu ndodh ndryshimi i parë i pronësisë së kompanisë Integrated Energy BV SPV, e cila fitoi kontratën koncensionare të inceneratorit të Tiranës.
Por vetëm dy muaj pasi Klodian Zoto merr në pronësi 100 përqind të aksioneve të kompanisë Integrated Energy BV SPV, ai rishet këto aksione. Në datën 20.03.2018 Integrated Technology Services i’a shet aksionet Giuseppe Ciaffaglione. Në kontratë përcaktohet se çmimi i shitjes së aksioneve është 463.000 euro që do të paguhen me këste 6.500 euro/muaj duke filluar nga prilli 2018.
Giuseppe Ciaffaglione, është një shtetas Italian, me profesion Kaldaist, i cili kishte një kontratë konsulence me kompaninë e Inceneratorit të Fierit, e cila ishte në pronësi të Klodian Zotos, ku do të përfitonte një shumë 300 mijë eurosh, ndërsa si administrator i Integrated Energy BV SPV, do të paguhej me 5 mijë euro në muaj.
Thënë më qartë, kompania Koncensionare e Inceneratorit të Tiranës, i shitet me këste punonjësit të saj Giusepe Ciaffaglione, i cili nga kaldaist i Klodian Zotos, bëhet pronar i vetëm i kompanisë koncensionare, që do të duhet të investonte 128 milionë euro kapital të vetin aksionar.
Kjo është deklarata e Gabriele Tarraoni Longinotit, dhënë për emisionin Piranjat në Syri Tv një vit më parë, ku zbuloi gjithashtu të dhëna të rëndësishme se Giuseppe Ciaffaglione në fakt ishte një ‘presta nome’ i shoqërive që kishte krijuar Alberto Presezzi dhe të tjerë.
Këtë ai e dëshmon në një e-mail për drejtorin e Geogenix, Marc Lappat, e-mail që emisioni ‘Plug’ e disponon ekskluzivisht dhe e publikon për herë të parë.
Në këtë e-mail Ciaffaglione i cilëson këto aksione në vlerë qindra miliona euro si dhuratë.
Në e-mailin e datës 29 mars të vitit 2023, Giuseppe Ciaffaglione i shkruan si më posht Marc Lappat:
Po shpjegohem më mire Marc, mbase kujton dhe ti: dokumentacioni i kërkuar nga unë, janë një prioritet i imi dhe është në interesin tim të kem një kopje. Historiku i kompanisë, ti e di mirë se çfarë nënkupton, gjithsesi po ta përmbledh me shpresën se do kem përgjigje. Në mars të 2018, jam shoqëruar nga Denisa për të mbyllur blerjen dhe kalimin e aksioneve, del Granelli Ernesto, PW Energy, ITS dhe më kalohen mua 99% nga ITS. Kontrata e firmosur në Civilence në Mars 2018 përcaktonte një pages mujore në favor Z.KL. Në fakt nuk i kam paguar kurrë këto aksione dhe nuk është respektuar kontrata e shkruar nga Civilence. Në të njëjtin moment i është kaluar Almares BV e përfaqësuar nga Marc Lappat, në mars te 2018 detyra e drejtimit administrativ të kompanisë IE BV Hollandë. Në Aktin Noterial zonja Denisa kishte prokurën dhe mbante korrespodencën me ty për dokumentacionin. Në 2022 kanë ndryshuar aksionet, të ndara me FT, ICARE, HYDROS etj. Aksionet e mia përcaktohen 19%, nuk rezulton asnjë pagesë nga ana ime për këto aksione, mendoj që më janë dhënë dhuratë.
Siç shprehet dhe në email, në 10 maj të vitit 2022 Giuseppe Ciaffaglione shet 40% të aksioneve kompanisë Franco Tosi Meccanica spa dhe 40% Icare Holding s.a.
Të dyja kompanitë i kanë blerë këto aksione në vlerën 312.000 euro secili dhe kjo shumë do të paguhet brenda datës 30 nëntor të vitit 2023, as këto pagesa nuk janë kryer kurrë.
Këto kompani do i përfitojnë këto aksione me kushtin që secila duhet të garantojë financimin e projektit të inceneratorit të Tiranës dhe minimalisht 60.000.000 euro nga financimi i borxhit të jetë kaluar në llogari të Kompanisë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, kompanitë do i kthejnë aksionet pa kosto te shitësi (Giuseppe Ciafagglione).
Aktualisht, kompania Geogenix BV, ka si aksioner të saj, kompanite Icare Holding me 40% të aksioneve, Hydros SRL me 0.01% të aksioneve, Franco Tosi Mecanica me 40% të aksioneve dhe Giuseppe Ciaffaglione me 19.9 % të aksioneve.
Emisioni ‘Plug’, disponon dokumente të mbledhjeve të përbashkëta midis tre aksionerëve, ku flitet për gjetjen e investimit. Por fillimisht, do të trajtojmë dy kompanitë e reja që futen si aksionere të Geogenix, pikërisht kompania italiane Franco Tosi Mecanica dhe Icare Holding sa, me seli qëndrore në Zvicër.
Kompania ‘Franco Tosi Mecanica’, është në pronësi të shtetasit Alberto Presezzi. ky i fundit rezulton se është një nga aksionerët kryesor të kompanisë ‘Geogenix’, ish Integrated Energy BV. Sipas të dhënave nga qendra kombëtare e biznesit, Presezzi është pronar përfitues me 40%.
Mirëpo, një mik dhe bashkëpunëtor i afërt i Alberto Presezzit, Gabirele Tarroni Longinoti, në deklaratën e dhënë për emisionin ‘piranjat’ një vit më parë, së fundi ka folur dhe për emisionin ‘Kronos’, ku ka treguar të dhëna të rëndësishme për Alberto Presezzin. Sipas Gabriele Tarronit, në zyrën e Presezzit kanë ardhur shpesh politikan shqiptar, ndërsa ai vetë, ka qenë i pranishëm në dy takime që Presezzi ka zhvilluar në Tiranë me kryebashkiakun Erion Veliaj.
Madje, biznesmeni Italian, që sot ndodhet në Dubai, tregon se ish-shoferi i tij Miliad Lopa, i kishte treguar se midis viteve 2017-2018, kishte udhëtuar drejt Teheranit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për disa takime të rëndësishme.
Kjo dëshmi nuk u mor kurrë nga SPAK, madje, SPAK deri më sot nuk e ka pyetur kurrë Gabriele Tarronin Longinotin për deklaratat e tij, që lidhin Erion Veliajn, Alberto Presezzin me Iranin… Tarroni është dëshmitari i munguar i SPAK…
Mirëpo, teksa SPAK ka heshtur përballë këtyre deklaratave, deri më tani është e faktuar, se Alberto Presezzi, që dëshmohet se është takuar disa herë me Erion Veliajn, ka një bashkëpunim të ngushtë me kompaninë shtetërore iraniane të energjisë, Mapna Group. Në vitin 2015, Alberto Presezzi dhe kreu i kompanisë Mapna group, Abbas Aliabadi, kanë themeluar kompaninë ‘Tuga Franco Tosi Mecanica’. Madje emisioni Plug, risjellë për herë të parë dokumente që tregojnë se si kompania e Alberto Presezzit dhe Mapna, kanë zbatuar disa projekte të përbashkëta gjatë viteve të fundit në fushën e energjisë dhe jo vetë,..
Kjo e dhënë, tregon lidhjen e inceneratorit të Tiranës me regjimin e Teheranit, pikërisht nëpërmjet kompanisë Franco Tosci Mecanica. Madje, Alberto Presezzi, ortaku i komapnisë shtetërore iraniane të energjisë, ka pasur dhe një takim në vitin 2017 me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit, në axhendën e 30 janar 2017, të kthtyer në pikturë, ka pasur takim pasdite me Alberto Presezzin, Miliad Lopën dhe një tjetër person, të shoqëruar nga Erion Braçe.