Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë një intervistë për emisionin CONTEXT në ATV ku është shprehur se Kosova duhet të dalë nga loja e Serbisë “se kush e ka fajin”. Ai tha se Kosova duhet të tregohet e vetëdijshme për barrën e përgjegjësisë që ka si një anëtar i ri i bashkësisë ndërkombëtare.
“Thelbi i gabimit strategjik që bëjnë të gjithë ata që mendojnë se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe shtetnjohja përfundimtare e Kosovës do të vijnë përmes një procesi ku Kosova do bëjë garë me Serbinë se “kush e ka më shumë fajin”. Jo, në këndvështrimin tim dhe unë këtë e kam thënë gjithmonë, qasja jonë strategjike e shqiptarëve dhe në këtë rast flasim për Kosovën, por mendoj që kështu është edhe për Shqipërinë dhe kështu duhet të jetë për të gjithë shqiptarët, nuk është që të fajësojnë të tjerët, apo të hyjmë në lojën e fajësimit të njëri-tjetrit në sensin ‘jo shiko, dakord, ne kemi mbase këtë, po shiko ata’.
Ne nuk kemi punë fare me ata, ne këto gjëra i bëjmë për veten tonë, e Kosova për veten e saj duhet të shkëlqejë në këtë proces. Kosova, për veten e saj duhet të tregojë ndërkombëtarisht një qenie e cila është plotësisht e vetëdijshme për barrën e flamurit që ka, për barrën e Kushtetutës që ka, për barrën e përgjegjësisë që ka, si një aktor i ri, si një anëtar i ri i bashkësisë ndërkombëtare. Nuk është Serbia etaloni dhe nuk është Serbia standardi dhe nuk është Serbia pika e referimit”, – tha Rama.
Ai tha se po të ishte vetë në këtë proces, do t’i kishte përmbushur të gjitha detyrimet ndërkombëtare, ku më pas Serbinë do ua kishte lënë në dorë të tjerëve që të merreshin me të.
“Unë e kam thënë kohë më parë, në rast se do të ishte për mua unë marrëveshjen do ta kisha firmosur në mënyrë të njëanshme, duke i përmbushur të gjitha detyrimet e mia në raport me këtë përpjekje për subjektivitet të plotë ndërkombëtar dhe duke ia lënë pastaj Serbinë në dorë tjerëve që të merreshin me të dhe jo të rrija unë e të merreshin me mua gjatë gjithë kohës, ‘pse e bën këtë, pse s’bën atë, e tjerë’”, tha Rama.
Sipas tij, Kosova duhet të bëjë të mirin dhe jo te keqin me ndërkombëtarët për të përfituar diçka.
“Duhet të nxitojë e të bëjë ç’është e mundur që të bëhet e denjë për gjeneratën tjetër, si një shtet i njohur nga të tërë dhe për këtë mendoj që në politikën ndërkombëtare dhe në arenën ndërkombëtare, në kushtet e sotme, për vendet si ne, duke bërë të keqin, nuk fiton asgjë, dhe duke bërë të mirin, mund të fitosh diçka”, – tha Rama duke shkuar edhe më tej me leksionet.
“Kosova nuk është vetëm, jo thjesht se ka Shqipërinë, por sepse ka aleatë strategjikë, që i dimë fare mirë kush janë, pa të cilët Kosova s’do të ekzistonte dot si shtet dhe me të cilët Kosova mund t’i arrijë të gjitha ato që ne të gjithë duam që Kosova t’i arrijë. Kështu që, për këtë arsye duhet menduar çdo ditë për peshën dhe rëndësinë e aleatëve, edhe kur je në një paqe të plotë e jo më kur je në një proces si ky, kur ke nevojë për sa më shumë miq dhe kur të humbasësh miq apo të ftohësh zemrën e miqve është gjëja më e pakëshillueshme e mundshme”, – tha Rama..
/LAPSI.al