Më 20 shkurt, të gjithë kundër ‘panamizimit’ të ekonomisë shqiptare!

0
138
Nga Akil Kraja:

1. Thuhet shpesh se Rama mund të ketë një fund të ngjashëm me atë të Manuel Noriegës, narko-diktatorit të parë të Amerikës Latine. Rasti i tij rezonon në marrëdhëniet ndërkombëtare pasi duke e kthyer Panamanë në një narko-shtet, ai detyroi SHBA-të ta pushtojnë ushtarakisht vendin për të rikthyer rendin ligjor e demokracinë. Thënë kjo, ndërkohë që Noriega u arrestua dhe u dënua, fundi i tij nuk do të thoshte fund të infrastrukturës së trafiqeve ndërtuar ndër vite. Pas largimit të tij, Panamaja u konsolidua dhe më tej si një parajsë financiare për mbarë kontinentin amerikan e më gjerë, për të ardhurat e trafikantëve, pushtetarëve të korruptuar, ushtarakëve apo të sipërmarrësve të diktaturave latine, për fitimet e korporatave dhe tregtisë që derivonin direkt nga “Kanali i Panamasë” dhe flota detare më e madhe në botë. Një korridor mes Amerikës së Veriut e asaj të Jugut, vendi u konsolidua si një vendstrehim për çdo personalitet, fond spekulativ dhe korporatë që kërkonte të fshihte të ardhurat në rastin më të keq, ose të paguante më pak taksa në rastin më të mirë.

2. Ekonomikisht, suksesi i modelit të “panamizimit” është i diskutueshëm. PBB për banorë ka arritur në rreth 17.000$ në vitin 2022. 80% e PBB-së mbulohet nga sektori imobiliar, turizmi e shërbimet. Një mungesë diversifikimi të ardhurash e cila bën që varfëria të mbetet ende e lartë me 13% të popullsisë që jetojnë me nën 6.5 dollarë dita. Për krahasim, në SHBA, PBB për frymë shkon në 76.000 dollarë. Rritja e kostove të jetesës për banorët vendas ka rritur hendekun mes shtresave të pasura e të varfra, ndërkohë që krimi i organizuar, pandëshkueshmëria dhe korrupsioni raportohen ende si një problem madhor në mirëqeverisjen e vendit.

Me një popullsi prej 4.4 milion banorësh, realiteti panamez duket se i aplikohet më së miri dhe Shqipërisë. Amnistia fiskale e premtuar nga Edi Rama dhe ‘boom-i’ i ndërtimit si një sektor lavatriçeje për fitimet e trafiqeve ndërkombëtare, i ngjasojnë shërbimit të një ‘parajse-fiskale’ ofruar në Panama.

Në të dy vendet, promovimi i një turizmi elitar dhe ndërtimi i resorteve të luksit në kurriz të zhvillimit të bujqësisë e industrisë, po sjell dhe më shumë ndasi shoqërore. Ndërkohë zgjerimi i aktivitetit logjistik falë ndërtimit të hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe përmbylljes së korridoreve rrugore rajonale duket se do ta vendosë Shqipërinë si një korridor vital për Ballkanin. Por si në Panama, dhe këtu, të qenurit një nyje në fluksin e tregtisë nuk do të thotë më shumë mirëqenie për popullatën. Krejt e kundërta, shpopullimi është pasojë direkt e këtij realiteti.

3. Modeli i “Panamasë” përmendet shpesh herë krahas lokacionesh të tjera si Singapori, Hong-Kongu apo Dubai, të cilat janë zhvilluar mbi premisa të ngjashme të një ekonomie portuale ose korridori gjeografik mbi të cilin ngrihet një sektor turizmi elitar e shërbimesh ‘off-shore’. Një parajsë fiskale, një bursë apo një pol logjistik rajonal, një vendtakim ‘biznesesh’ apo një hub për teknologji të reja?! Çfarë po i ofrohet Shqipërisë?

Tony Blair intervistoi në Dubai, Edi Ramën, javën e kaluar. Tema “Transformimi i një kombi – a është ‘tech’ zgjidhja jonë?” Gjasat janë që ky të jetë një projekt i pathënë për Shqipërinë që skicon një “panamizim” potencial të vendit.

Përse kriminelët shqiptarë, por dhe partnerët e tyre serb, latino apo italianë, të çojnë fitimet e tyre në Dubai e parajsa fiskale ndërkohë që Shqipëria mund të bëhët për ta një vendstrehim më i afërt gjeografikisht? Përse Shqipëria të mos-bëhet kryeqendra e ekonomisë së errët të ‘Bitcoin”-ëve? A nuk ishte Rama që u takua me CEO-n e një ndër fondeve më të mëdha botërore të Bitcoin, i dënuar nga SHBA për evazion fiskal?!

4. Panamizimi është një model që do ta vendoste Shqipërinë në konflikt me Europën sepse ai është kundra vlerave themeluese të Bashkimit Europian. Fshehtësia financiare, evazioni fiskal, legjitimimi i të ardhurave kriminale, etj., BE ka një kuadër të plotë ligjor që e pamundësojnë “panamizimin” e Shqipërisë. Së dyti, është shumë e vështirë që të jesh një “demokraci perëndimore” dhe njëherazi një “parajsë fiskale”.

Modeli i “demokracisë perëndimore” parashikon një shtet social (welfare), që respekton çdo komunitet dhe identitet lokal, çdo shtresë dhe çdo grupim socio-ekonomik, liritë e shtypit por dhe ato të besimit, një model që mundëson rotacionin politik dhe një përfaqësim popullor real.

Ndërkohë, ‘parajsat fiskale’ në përgjithësi shquhen për mungesën e demokracisë përfaqësuese, për një parti që kontrollon mbarë shtetin ose një model shoqëror i cili kufizon liritë themelore, si ato politike, të shtypit apo dhe të besimit. Kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar vijueshmërinë në afat-gjatë të ‘pa-prekshmërisë’ së kontratave “off-shore”.  Me pak fjalë, mungesa e demokracisë garanton fshehtësinë e transaksioneve që mbajnë ekonominë në këmbë.

A nuk po ndodh kjo saktësisht në Shqipëri?!  Dobësimi i opozitës, nxitja e shpopullimit duke ulur votat e pakënaqura dhe kontrolluar ato të mbetura nëpërmjet patronazhistëve, presioni ndaj mediave të lira, paprekshmëria e kontratave të investitorëve strategjikë, mungesa e forcës punëtore për bizneset lokale në paralel të krijimit të grupimeve sipërmarrëse kriminale offshore si me rastin e inceneratorëve; gjithçka kumbon modelin e “panamizimit”’.

5.  Nëse qytetarët kuptojnë drejt rrezikun që përbën për ekonominë “panamizimi” i Shqipërisë, atëherë mund të flasim edhe për modelin e “libanizimit”, një vend i cili deri para viteve 70 është konsideruar “Zvicra e Lindjes së Mesme” për shkak të një sistemi bankar shumë dinamik në shërbim të ekonomive të golfit persik. Libani, po ndërtonte një model si ai i përshkruar më lart – një korridor mes Lindjes dhe Perëndimit, në rrafshin ekonomik, tregtar, turistik e kulturor. Si Shqipëria, ashtu dhe Libani ka male dhe det, por ka dhe një popullsi të krishterë dhe islame, një trashëgimi osmane dhe një projeksion perëndimor, një ekuilibër i brishtë që u thye në vitet ‘70 në kuadër të konfliktit në Lindjen e Mesme. Mbështetur logjistikisht dhe financiarisht nga Irani e Siria, fraksionet radikale u forcuan aq shumë sa e çuan vendin drejt një konflikti civil të dhunshëm. Një luftë rajonale e importuar nga jashtë në fakt me mijëra të vrarë e dëme kolosale në miliarda euro dëme që ndihen ende sot e kësaj dite. Një histori suksesi bashkëjetese u kthye në shëmbullin “par excellence” të një shteti të dështuar.

Si futet Shqipëria këtu? Panamizimi do të thotë të pranosh paratë e çdokujt. Libanizim do të thotë të prishësh balancat e brendshme. Kombinimi i hapjes financiare me instalimin e kampeve për popullata të zhvendosura për interesa elektoraliste afatshkurtër, përbën një risk që meriton së paku të analizohet, një miks i cili nuk i shërben as Shqipërisë, as Europës, as perëndimit. 

Ndaj 20 shkurti, është një protestë që shkon shumë, shumë përtej ndasive të thjeshta partiake. Është një protestë për një Shqipëri demokratike, për një hapësirë komb realisht europiane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here