Në tetor të vitit 2023, qeveria nxori një vendim për ndërtimin e një Akademie Futbolli në Durrës. Madje, pronat shtetërore në zonën e Spitallës, atje ku do të ndërtohej akademia, iu vunë në dispozicion findacionit me emrin “Durrah City Football Academy”. Një nga ato fondacione që ngrihet gjithmonë për propaganda, me emërtime “binjakëzime” me skuadra të mëdha të futbollit në botë, kësaj herë ata të Mançester Sitit. Më parë kemi parë dhe dëgjuar binjakëzime me Milanin, Interin, Juventusin, Realin, Barcelonën, Bajernin etj. Por, të gjitha këto kanë qenë vetëm propaganda, njësoj siç bënte edhe biznesmeni Rezart Taçi dikur. Por, krahas propagandës se “Shqipëria do të bëhet si Dubai, Katari apo Arabia Saudite”, duket se pas gjithë këtyre vendimeve fshihet skema për të mbuluar gropën e madhe të tenderit 19 milionë euro të mbylljes së venddepozitimit të plehrave në zonën e Spitallës. Opozita ka denoncuar në vijimësi se pas firmës që fitoi tenderin e majmë qendrojnë njerëzit e afërt të Ramës. Madje, edhe firma që fitoi koncesionin në Sharrë. Gjithmonë të njëjtët emra, por paratë janë shpërndarë në të gjithë eksponentët e mazhorancës.
Partia Demokratike ka denoncuar në vijimësi këtë tender të majmë, ku e kanë titulluar “Rama e thjeshtra e tij të implikuar”. Bëhet fjalë për skandalin e ndërtimit të “Eco Park”, ku Berishës janë të implikuar kokë e këmbë kryeministri Edi Rama dhe “thjeshtra e tij” siç e quan ai Rea Xhillarin, vajzën e Linda Ramës. “Edi Rama, organizata e tij kriminale, qeveri-SKAP, bënë gjithçka të arkivojë në harresë, vjedhjen e shekullit, e cila ka një përgjegjës kryesor që është Edi Rama dhe të tjerë rreth tij, të njohur, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, Artur Metani, Damian Gjiknuri dhe ndonjë tjetër. Por e garantoj se kurrë kjo aferë nuk mund të groposet” tha Berisha. Denoncimi i PD-së ishte edhe me dokumente, ku faktohej një mori firmash.
Ndërkohë, mësohet se Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për këtë tender, me dyshimin e pabarazisë në tendera. Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta, e drejtuar në atë kohë nga Alqi Bllako, në datë 27 janar 2020 shpalli fitues të tenderit “Mbyllja e venddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës”, bashkimin e dy operatorëve, konkretisht: kompaninë italiane “De Mare” srl. Kjo e fundit është regjistruar në QKR vetëm tri ditë para tenderit, si dhe kompaninë shqiptare “Viktoria Invest International”. Sipas njoftimit zyrtar të AKUM, tenderi ishte zhvilluar pa garë, më saktë me procedurën e “negociimit paraprak, pa shpallje”, nën argumentin e situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019.
Në muajin tetor 2023, qeveria miratoi vendimin që i hap rrugën ndërtimit të Akademisë së Futbollit në Durrës. Qeveria vendosi që pronat shtetërore në Spitallë ku do të ndërtohet Akademia, të vihen në dispozicion të “Durrah City Football Academy”.
“Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te Ministria e Arsimit dhe Sportit, të pronave shtetërore me numër pasurie 79/1, me sipërfaqe 99 770 m2, dhe 80/1, me sipërfaqe 104 580 m2, pjesë e zonës kadastrale nr.8517, Bashkia Durrës, Njësia Administrative Durrës, në zonën e Spitallës, për vënien në dispozicion të fondacionit ‘Durrah City Football Academy’, me qëllim ndërtimin dhe zhvillimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit Durrës” thuhet në këtë vendim.
Mësohet se pasuritë të përdoren për ndërtimin dhe zhvillimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit Durrës, të ambienteve sportive dhe çdo shërbimi të nevojshëm. Në listën e pasurive që përfshihen në sipërfaqen e zonës teknologjike dhe zhvillimit ekonomik.
Vendi i ngritjes së akademisë është pikërisht zona “Eco Park” në Durrës, atje ku u shpenzuan 19 milionë euro për mbylljen e venddepozitimit. Në të njëjtin vend që SPAK ka nisur hetimet, por që i ka zvarritur e zvarritur, deri sa ende nuk ka një vendimmarrje. Por, çfarë bën qeveria për të “mbuluar” këtë aferë?
Pas ngritjes së këtij fondacioni, i ka akorduar qindra miliona lekë për ta promovuar. Në televizione ka filluar një fushatë se “sa mirë është për Shqipërinë” ky projekt. Por, që në fakt është vetëm një fasadë.
Sipas dokumenteve që disponon redaksia e BoldNews.al, vetë ky fondacion ka hapur një tender me objekt të procedurës së prokurimit “veprimtari promovuese”. Autoriteti kontraktor është “FONDACIONI ‘DURRAH CITY FOOTBALL ACADEMY’, me fond limit 10.500.000 lekë. Pra, pasi u shpenzuan një mal me para për atë tender, tashmë jepen miliona euro të tjera për propagandë. Një skemë e pastër, ku dirigjimi ka ardhur nga maja e kupolës, me të vetmin qëllim mbrojtjen e njerëzve të afërt.Boldnews.al