Përmes një vendimi të marrë në 23 janar 2024, Gjykata e Lartë me relator gjyqtarin Ilir Panda, vendosi të kthejë për rigjykim një nga ngjarjet më të bujshme të viteve 1997, ndodhur në qytetin e Cërrikut ku mbetën të vrarë 6 efektivë të Gardës së Republikës dhe 13 të tjerë u plagosën.
Tashmë kjo çështje nuk do i kalojë për rigjykim prokurorisë së posaçme SPAK, por rigjykimi i kësaj dosje do zhvillohet në gjykatën e Elbasanit, pasi me ndryshimet ligjore është kjo gjykatë që ka kompetencën e dy veprave penale për të cilat është regjistruar procedimi.
“Ora News” ka mësuar se rekursi i depozituar shtator 2017 nga 9 personat e dënuar në shkallën e parë dhe shkallën e dytë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, është gjykuar një muaj më parë nga një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë, i cili pasi shqyrtoi me vëmendje rastin konstatoi mangësi proceduriale duke kthyer çështjen për rigjykim.
Vendimi për tu rigjykuar vjen 6 vite pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, deklaroi fajtor dhe dënoi me masa të ndryshme dënimi disa prej anëtarëve të grupit që sulmoi gardistët me armë. Ndërsa për disa të tjerë Apeli vendosi të shpallë të pafajshëm Meti Bozin, Llazar Bicjan dhe Skënder Canin.
Të 9 personat e këtij procesi akuzohen për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në dëm të 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë ndaj 13 personave të tjerë.
Sipas asaj që relatohet në dosjen hetimore të prokurorisë është provuar se me datën 22 Maj 1997 është sulmuar me armë zjarri nga disa shtetas Posta e Policisë në Cërrik, nga ku janë larguar me forcë punonjësit e policisë.
Të nesërmen, më 23 Maj 1997 forca të policisë së Komisariatit Elbasan të drejtuara nga shefi i atëhershëm Agron Kuliçi në bashkëpunim me forcat e Gardës së Republikës janë nisur në mëngjes drejt Cërrikut për të rivendosur rendin dhe për të grumbulluar armë të cilat gjendeshin në duart e civilëve.
Ndërkohë, në dosje thuhet se të pandehurit Arjan Toska, Meti Bozi dhe Roland Xhepexhiu të cilët kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të forcave policore drejt Cërrikut, kanë organizuar një grup personash të armatosur me qëllim goditjen e forcave të Policisë.
Për këtë arsye, këta të pandehur kanë shkuar në mëngjesin e datës 23 Maj 1997 në lagjen nr. 3 të qytetit Cërrik dhe kanë takuar të pandehurit: Llazar Bicja, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, Bashkim Buzani të cilët ishin të armatosur dhe qëndronin në një postbllok të krijuar prej tyre, për shkak të hasmërive që kishin me familjen e shtetasit Eduart Peqinit, i njohur me pseudonimin “Mandela”.
Të pandehurit Toska, Xhepexhiu dhe Bozi kanë nxitur personat e mësipërm për të goditur forcat e policisë të cilët do të lëviznin nëpër qytet, duke i mashtruar se gjoja këto forca kishin ardhur nga Tirana me qëllim vrasjen dhe përdhunimin e vajzave dhe grave të tyre.
Në momentin kur njëra nga makinat e blinduara të policisë ishin duke kaluar në qendër të qytetit, fluksi i të shtënave në drejtim të forcave speciale të policisë ka qenë maksimal në dy drejtime kryesore.
Makina e blinduar është qëlluar me antitank nga i pandehuri Arjan Toska dhe gjithashtu brenda saj është hedhur edhe një granatë nga ana e Sokol Buzanit (aktualisht i vdekur), veprime që kanë shkaktuar djegien e dy prej gardistëve që ndodheshin brenda saj dhe nga flaka janë detyruar personat e tjerë të dalin nga blindi e më pas të qëllohen me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen edhe të tre efektivave të tjerë Gardës.
Në përpjekje për tu larguar nga vatra e zjarrit, në afërsi të pallatit nr. 1 të qytetit të Cërrikut, në një arë të mbjellë me thekër, është vrarë edhe një efektiv tjetër i Gardës, shtetasi Qemal Mehmeti. Gjithashtu, në këtë ngjarje janë plagosur edhe 16 efektiva të tjerë policie.
Bujar Buzani njëri prej anëtarëve të bandës, gjatë procesit gjyqësor fitoi statusin e të penduarit. Kanë qenë pikërisht dëshmitë e tij që përveç provave të mbledhura nga organi i akuzës ka ndihmuar për zbardhjen e ngjarjes.
Duke pranuar të bashkëpunojë me organin e akuzës, Buzani përfitoi uljen e dënimit.
Në fund të procesit në shkallën e parë Gjykata vendosi deklarimin fajtor të pandehurin Buzani për akuzën e vrasjes duke dënuar me 22 vite burg, por në bazë të marrëveshjes me Prokurorinë togat e zeza vendosën dënimin e tij vetëm me 8 vite burg.
Dënimet në shkallë të parë:
Meti Bozi, burgim të përjetshëm për 6 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Arjan Toska, burgim të përjetshëm për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Roland Xhepexhiu, burgim të përjetshëm për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Tomor Buzani, 23 vite burg për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Llazar Bicja, 22 vjet burg për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Alban Toska, 22 vjet burg për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Entel Gashi, 22 vjet burg për 5 vrasje dhe 16 plagosje të policëve
Skëndër Cano, me 21 vjet burg për një vrasje dhe 16 plagosje
Bujar Buzani-I penduar, 23 vjet burg, dënimi ulet në 8 vjet burg
Viktimat në masakrën e Cërrikut- Efektivë të Gardës së Republikës:
Besnik Sula
Halit Haxhia
Bashkim Mnella
Sali Martini
Qemal Mehmeti
Petrit Ndoi
Të plagosurit në masakrën e Cërrikut:
Gjergj Gjoka
Ded Margjoka
Ferd Laska
Pjeter Nikolli
Petrit Guda
Agron Kuliçaj
Pashk Ndreca
Dritan Hasa
Agim Biberi
Paulin Ndoka
Petrit Nikolli
Luan Prenga
Fari Metaliaj
Petrit Gjoka
Pashk Doda
Sokol Kuça