Afera e inceneratorëve ka brenda në kontratë të tjera pika dhe çështje që i kanë sjellë kompanisë koncesionare dhjetëra miliona euro.
Një aferë korruptive pas një kontrate zyrtare të keqshkruar, me një procedurë skandaloze, me një kompani ku fshihen pronarët e vërtetë.
Pas hetimeve të SPAK-ut ka dalë që ka edhe pronarë të përkohshëm, të fjetur, që do të financojnë, që tregon se pronarët fillestarë nuk kanë pasur para për të firmosur këtë kontratë.
Gjithashtu dalin skandale, afera të fshehura pas Mirel Mërtirit, Klodian Zotos, zyrtarëve të bashkisë Tiranë, qeverisë, ministrave, etj.
Kontrata koncesionare nuk përcakton çmimin e dherave.
Një nga pikat më të rëndësishme që duhet të ketë hetimi në lidhje me aferën e inceneratorit dhe landfillit të Tiranës, atë të dherave, thotë CNA.
Sipas kontratës koncesionare, në faqen 8 theksohet qartë se çfarë janë mbetjet inerte, mbetjet e llojeve të tjera dhe mbetjet urbane.
“‘Mbetje’ do të përfshijë të gjitha mbetjet inerte, mbetjet urbane dhe mbetjet e llojeve të tjera, të cilat do të depozitohen në venddepozitimet që do të operohen nga koncesionari, konform kësaj kontrate.
‘Mbetje inerte’ ka kuptimin e të gjitha mbetjeve inerte referuar legjislacionit në fuqi në momentin e lidhjes së kësaj kontrate, apo përgjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate, për mbetjet që mblidhen në të gjitha Njësitë Vendore të Qarkut Tiranë nga një ose disa operatorë ekonomikë, privatë apo publikë, të përzgjedhura ose jo këto nga Njësitë Vendore të Qarkut Tiranë dhe që paketohen e transportohen për në Impiante dhe/ose venddepozitimet sipas projektit, siç janë mbledhur në burim nga këta operatorë.
‘Mbetje të llojeve të tjera’ do të thotë çdo mbetje tjetër, përfshirë, por pa u kufizuar, në mbetje industriale, të cilat mund të përbëjnë objekt përpunimi në Impiantet sipas kësaj kontrate, referuar përkufizimeve të legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
‘Mbetje urbane’ ka kuptimin e të gjitha mbetjeve urbane referuar legjislacionit në fuqi në momentin e lidhjes së kësaj kontrate, apo përgjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate, për mbetjet që mblidhen në të gjitha Njësitë Vendore të Qarkut Tiranë”, thuhet në kontratë.
Kjo kontratë përfshin mbetjet inerte, por në anekset e saj nuk përcaktohet çmimi. Kjo kontratë përcakton çmimin thjesht dhe vetëm për mbetjet urbane, 29 euro/ton që do të paguajnë Bashkia e Tiranës dhe bashkitë e këtij qarku, por më pas iu shtuan edhe bashkitë e qarkut të Durrësit.
Vlera totale shkon më shumë se 13 milionë euro. Në momentin e firmosjes së kontratës ka qenë vetëm Bashkia e Tiranës me 10 milionë euro. Në vit nga transferta e pakushtëzuar e qeverisë, një përqindje e papërcaktuar paguhej nga vetë bashkia me kalimin e viteve.
Për çmimin e dherave nuk u bë studim
Sipas kësaj marrëveshjeje, dherat nuk kanë një çmim. Pra, nuk është vendosur, nuk është parashikuar, nuk është bërë studim dhe nuk është përcaktuar se sa do të jetë vlera e plehrave apo shuma që do të marrë kompania për mbledhjen e tyre, apo zhvendosjen në landfill.
Kush do ta paguajë këtë shumë?