Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar për ligjin e votuar në seancën e fundit plenare, atë për Zonat e Mbrojtura. Tabaku thekson se beteja për mbrojtjen e bukurive natyrore shqiptare ende nuk ka përfunduar. Ajo vë në dukje se nëse presidenti e firmos ligjin e miratuar nga deputetët socialistë, atëherë do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Fjala e deputetes demokrate Jorida Tabaku:
Ditën e djeshme parlamenti miratoi në një akt të paprecedentë, ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura.
Përveç faktit që procesi legjislativ nuk ishte transparent, ishte abuziv. Ligji në thelb është një ligj që në thelb shënon një hap tjetër ndaj prishjes së zonave të mbrojtura, kapjes së investimeve strategjike në këto zona por njëkohësisht edhe shkeljes së direktivave të BE.
Kam qenë në kontakt me kolegët e Parlamentit Europian, me Komisionin Europian për ta ngritur këtë në një nivel tjetër. Por sigurisht që beteja do të vazhdojë, në koordinim me gjithë shoqërinë civile dhe në mbështetje të tyre në momentin që do të shkojnë tek presidenti, do të përgatisim njëkohësisht dhe padinë për Gjykatën Kushtetuese.
Parlamenti i Shqipërisë ndodhet në një pozitë shumë të vështirë, në një moment shumë të rëndësishëm por sidoqoftë, çdo ligj që kalon këtu, çdo akt që miratohet këtu të jetë në frymën dhe në germën e legjislacionit të BE-së. Nuk mund të pranojmë më, ligje të tilla që thjesht noterizojnë korrupsionin.