Hetimet për korrupsion/ Rama mesazh administratës: Mos i jepni asnjë dokument SPAK-ut

Edi Rama ka gjetur një mënyrë për ti dhënë mesazh administratës së tij të korruptuar, që të mos bashkëpunojnë me SPAK dhe me BKH-në, dhe të mos u japin atyre as dokumente, as kompjuterat, apo telefonat celularë.

Rama kërkon që SPAK dhe hetuesit e BKH-së ti njoftojnë fillimisht personat e hetuar, se janë duke ardhur, e në këtë mënyrë duke humbur elementin surprizë, e duke bërë që personat e vënë nën hetim, të mund të kenë mundësi për të zhdukur provat komprometuese, apo duke fshehur celularë dhe komjutera.

Këtë porosi Rama e ka dhënë në një intervistë për revistën ‘Newsbomb’. Në intervistën me Anila Bashën, Rama shprehet se është i pakënaqur për faktin se në disa raste hetuesit e BKH-së shkojnë në zyrat e shtetit pa lajmëruar më parë, pa ruajtur minimumin e etikës dhe bëjnë shfaqje të shëmtuara.

‘Është e vërtetë po, që duke qenë një njeri që jetoj çdo ditë si mbi gjemba dhe e nis ditën i pakënaqur me veten time, e pastaj e ngrys i pakënaqur me të tërë shtetin, nuk kam se si të mos jem i pakënaqur kur informohem për shfaqje të shëmtuara e krejt të panevojshme, të hetuesve të BKH-së në zyrat e shtetit, pa lajmëruar zyrtarisht, pa ruajtur asnjë minimum etik, pa respektuar gjëkundi faktin e thjeshtë se njësoj si ata në zyrat e tyre edhe punonjësit e tjerë në zyrat e institucioneve të tjera, bëjnë punën e shtetit, kanë planin e tyre ditor, kanë takimet, mbledhjet e angazhimet e tyre zyrtare dhe s’ia kanë borxh as SPAK-ut, as BKH-së e askujt në këtë botë, që arbitrarisht t’iu çakordojë punën e të përhapë jo vetëm në tërë institucionin, po edhe në familjet e tyre, ndjesinë e papranueshme të një represioni psikologjik.

Për të marrë dosje e dokumente apo pyetur njerëz të shtetit për nevoja të hetimeve s’ka asnjë lloj problemi e jo më pengese, siç nuk ka asnjë lloj nevoje për vizita të pa lajmëruara dhe asnjë lloj justifikimi për sjellje të pagdhendura. Kaq është e gjitha dhe lajmi i vërtetë nuk është që unë kam kërkuar nga drejtuesit e institucioneve ‘të mos dorëzojnë kollaj mjete pune e dokumenta’, sepse në këtë mes s’ka asgjë as për ‘kollaj’ as për ‘vështirë’, po thjesht kam bërë detyrën time duke u thënë drejtuesve të institucioneve, se kush shfaqet si e ëma e Zeqos në majë të thanës në emër të BKH-së, duhet të kthehet andej nga ka ardhur dhe bashkëpunimi i padiskutueshëm me SPAK-un duhet të zhvillohet vetëm mbi bazën e qartë ligjore të dhënies së informacionit për qëllime hetimore apo të marrjes në pyetje të personave të nevojshëm për hetimet, duke garantuar proceset e punës dhe qetësinë legjitime psikologjike të punonjësve të administratës’, ka thënë Rama në intervistën e tij.

Share it :