Nga Samiti Ekonomik për Euroazinë që u mbajt në Stamboll, Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është përgjigjur ndërhyrjes së ish-Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç për Kosovën.
Meta i ka bërë thirrje Serbisë të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka theksuar se ” Pavarësia e Republikës së Kosovës ka forcuar stabilitetin e rajonit tonë dhe ka ndikuar për integrimin euroatlantik të fqinjëve të saj”
Kryetari i Partisë së Lirisë ka theksuar gjithashtu se “edhe pse është shteti më i ri i rajonit tonë, Kosova është shembull për vendet tona për zgjedhjet e lira dhe demokracinë funksionale, dhe po kështu për transparencën dhe llogaridhënien sipas organizatave ndërkombëtare më prestigjioze”.
Kryetari i PL, Ilir Meta ka marrë pjesë në Samitin Ekonomik për Euroazinë në Stamboll, me ftesë të Presidentit të Fondacionit të Marmarasë, Akkan Suver, ku të pranishëm ishin shumë ish-kryetarë shtetesh, liderë politikë dhe ekspertë të shquar botërorë në fushën e ekonomisë.