Një nga organizatat më prestigjoze për mbrojtjen e medias së lirë, “Reporterët pa Kufij”, ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë për të shpallur të ligjshëm sekuestrimin e pajisjeve të gazetarit Elton Qyno nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas kësaj organizate, vendimi i Gjykatës së Lartë minon parimin e konfidencialitetit të burimeve, një gur themeli i lirisë së shtypit.
“…RSF shpreh keqardhje për vendimin e 20 shkurtit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, i cili potencialisht minon parimin e konfidencialitetit të burimeve, një gur themeli i lirisë së shtypit. Gjykata la në fuqi vendimin e gjykatës së apelit duke e shpallur të ligjshme sekuestrimin e pajisjeve të Elton Qynos…”, thuhet në reagimin e tyre.
Tre gjyqtarët Sokol Binaj, Ilir Panda dhe Sandër Simoni, pak kohë më parë kishin ndaluar SPAK të sekuestronte materialet e portalit “Lapsi.al” kur këta të fundit publikuan një databazë ku ishin vjedhur të dhënat e 900 mijë qytetarëve të Tiranës dhe këto përdoreshin nga patronazhistët e PS.
Por të njëjtët gjyqtarë morën vendim të ndryshëm për çështjen e gazetarit Elton Qyno, pavarësisht se kemi të bëjmë me çështje pothuajse të njëjta. Ky vendim është një goditje e rëndë ndaj medias së lirë dhe gazetarëve, të cilët tashmë do të jenë nën presion për të publikuar lajme ekskluzive për qytetarët, pasi nga pas do të ndiejnë gjithmonë e më shumë hijen e SPAK.