Tiranë – Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dimtry Kuleba, ka dhënë një deklaratë për shtyp sot gjatë takimit që ka zhvilluar me homologun e tij shqiptar Igli Hasani në nisje të Samitit Ukrainë – Evropë Juglindore në Tiranë.
Kryediplomati ukrainas e vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Shqipëria deri më sot dhe paralajmëroi mbajtjen e një Samiti tjetër në Uashington nga vendet anëtare të NATO ku theksoi se “pritshmëritë tona janë që mes të tjerash, një prej rezultateve të Samitit të Uashingtonit të jetë një hap më përpara drejt anëtarësimit të Ukrainës, që në fund do ta bëjë edhe këtë pjesë të Europës më të sigurt, por do të rritë edhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.”
Kuleba tha: “Është vërtet mirë të jesh në Tiranë si pjesë e delegacionit të Presidentit Zelensky. Ju jam mirënjohës juve i dashur koleg që organizuar këtë samit kaq të rëndësishëm, sepse përfshin një volum shumë të madh pune përsa i takon përfaqësimit. Ky samit dërgon një mesazh të qartë se ne mbetemi të bashkuar e do të mbrojmë së bashku vlerat tona që bashkëndajmë.
Sot Igli dhe unë diskutuam bashkëpunimin dypalësh dhe punën në grup në nivel ndërkombëtar. Shqipëria është një mike e mirë e Ukrainës dhe e ndiejmë shpatullën e e saj mike në çdo nivel.
Çdo mbështetje që Shqipëria i afron Ukrainës është e vlerësuar. Sot informova ministrin për situatën në front dhe sulmet me dron dhe me raketa të Rusisë çdo ditë. Është e rëndësishme që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimin e agresionit dhe krimin e luftës të kryera në rrjedhën e luftës dhe do të donim të intensifikonim përpjekjet tona në këtë drejtim.
Ne ramë dakord të vazhdojmë të bashkërendojmë ngushtë sa i takon rrugëtimit tona për integrimin evropian. Ato duhet të përplotësojnë njeri – tjetrin.
Sigurisht, Shqipëria është edhe një partnere e rëndësishme si anëtare e NATO ndaj diskutuam përgatitjet për Samitin e NATO në Uashington dhe e vlerësova gatishmërinë e ministrit Igli Hasani për të bashkërenduar dhe ndihmuar në këto përgatitje për këtë mbledhje të rëndësishme.
Pritshmëritë tona janë që mes të tjerash, një prej rezultateve të Samitit të Uashingtonit do të jetë një hap më përpara drejt anëtarësimit të Ukrainës, që në fund do ta bëjë edhe këtë pjesë të Europës më të sigurt, por do të rritë edhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor,” nënvizoi Ministri i Jashtëm i Ukrainës.