Nga Grigels MUÇOLLARI
Me një lojë në grup, duke nisur nga Rama i pari, Mirela Kumbaro dhe Arben Pëllumbi me radhë, e duke vazhduar me kryebashkiakët e PS dhe 12 deputetë të kësaj force, iu hoqën Shqipërisë zonat e mbrojtura.
Për 4 minuta me orë në dorë kaloi ligji i ri, që i jep menaxhimin e zonave të mbrojtura Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), duke përjashtuar nga përgjegjësia Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. KKT-ja është organi më i lartë zhvillimor në hierarkinë e organeve planifikuese, qëllimi i së cilës mbetet zhvillimi urban e jo mbrojtja e bukurive natyrore.
Hapet kështu shtegu për të ndërtuar edhe aty ku babëzia ende nuk kishte vënë dorë. Ai që për 11 vjet si kryebashkiak degjeneroi Tiranën me ndërtime cep më cep, që nuk la shesh mes pallatesh e lulishte pa ngritur shumëkatësha, i është sulur Shqipërisë për ta ndarë thelë më thelë. Në emër të një zhvillimi që s’erdhi kurrë vritet natyra e vijon maskarallëku me kap ça të kapni sa të jemi në pushtet. Janë turrur i madh e i vogël, strategjik e jostrategjik, për të shqyer aq sa i ka mbetur të gjorës Shqipëri.
Është e njëjta dorë që s’la kodër të gjelbëruar, park e lulishte në Tiranë. Janë ata që drejtojnë me dekada Durrësin, Vlorën, Himarën e Sarandën. E janë kaq të pamoralshëm saqë drejtojnë gishtin nga opozita kur kanë dekada që drejtojnë bashkitë bregdetare. Ata që shkatërruan Holtën e që donin të fusnin në xhepat e tyre Vjosën, u është tiposur Butrinti, lagunat, parqet kombëtare e aq pak sa i ka mbetur këtij vendi për të na kënaqur sytë me bukuri neve dhe turistëve të huaj. Të parët e tyre i hoqën shqiptarëve një trashëgimi të madhe kulturore, kisha bizantine shumëshekullore, xhami e teqe mahnitëse. Tani po duan ta lënë pa një fije bari, pa një pemë, vetëm për të marrë përqindjet tek ndërtimi, normën e korrupsionit që i gëzojnë pushtetit mbi Shqipërinë.
Në këtë pikë ata shqiptarë të pagojë të mbështetin opozitën, se në heshtje po i lënë fëmijëve një vend pa të ardhme. Po vendosin partinë mbi Shqipërinë. Çdo ditë qëndrimi e Ramës në pushtet i heq Shqipërisë një pjesë në mënyrë të pakthyeshme. Nuk i la gjë pa i marrë këtij vendi, nga qendra e Tiranës e deri në traun e kufirit. Prandaj ky duhet të jetë mandati i fundit i tij. Pa reagimin tuaj pandëshkueshmëria e kastës do të bëhet më e madhe. Me reagimin tonë vendi do të shpëtojë.
Kur them reagim këtë radhë e kam fjalë për revoltë nga ato me tym që të duket nga Brukseli dhe Uashingtoni. Zgjidhje tjetër nuk po na lenë këta barbarë. Thirrja ime është ta mbrojmë Shqipërinë sa ende e kemi! Një bashkim gjithëpërfshirës, veri-jug e Tiranë, opozitarë dhe të paparti, si një fuqi e madhe sovrane, do të jetë përgjigje fatale për qeverisjen aktuale.