Një skandal me publikimin e të dhënave personale ka ndodhur në Tiranë. Mijëra dokumente personale të të miturve janë shpërndarë në rrugë në zonën e Alliasit dhe i përkasin çerdheve, kopshteve e shkollave publike. Kjo ekspozon të miturit në keqpërdorim të të dhënave, pasi me vërtetimet nga këto institucione, janë bashkangjitur edhe certifikata personale e familjare, shoqëruar me numrat e identifikimit dhe foto të fëmijëve. Nga ana e institucioneve përgjegjëse ende nuk ka asnjë reagim mbi këtë skandal.
Në rrugën midis shkollës 9-vjeçare ‘Ramazan Jarani’ dhe kopshtit nr. 25 A, në zonën e Alliasit, janë hedhur një tufë më dokumente personale. Këto dokumente i përkasin fëmijëve të çerdheve, kopshteve e shkollave të ndryshme në vite të ndryshëm dhe përmbajnë të dhëna personale të regjistrimit të tyre.’
Dokumentet janë vërtetime regjistrimi e frekuentimi në këto institucione, fatura arkëtimi të pagesave në posta, lista me emrat e fëmijëve të regjistruar, vërtetime noteriale, dëftesa me notat e fëmijëve, si dhe certifikata familjare e personale shoqëruar edhe me fotot e të miturve dhe numrat e identitetit të tyre dhe të familjarëve. Pjesa më e madhe datojnë nga viti 2011 deri në 2019-ën.
Në lidhje me këtë skandal ku të dhënat e fëmijëve të regjistruar në institucione parashkollore e shkollore publike janë shpërndarë në rrugë, Syri Tv kontaktoi me Drejtorinë e Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, por ende nuk ka asnjë përgjigje konkrete mbi situatën.
Ndërkohë as nga institucionet ligjore ende nuk ka një reagim mbi skandalin e hedhjes së rrugë të të dhënave personale të mijëra fëmijëve ndër vite, të cilat lehtësisht mund të merren nga çdokush dhe të keqpërdoren.