Balluku tenderoi 400 milion € për Unazën e Madhe, Veliaj tender për sinjalistikë!

0
154

Nga BoldNews.al

Unaza e Madhe e Tiranës ka filluar të ndërtohet prej disa vitesh, duke u ndarë në dhjetëra lote. Tenderët janë bërë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, teksa fitues kanë dalë firmat më të mëdha të ndërtimit. Ata oligarkë që kanë marrë çdo qindarkë për ndërtimet në të gjithë Shqipërinë, duke ndarë edhe “tortën”. Sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës, kostoja e të gjithë projektit ka shkuar në rreth 400 milionë, me tenderët e projektimit, të ndërtimit, spervizimit apo edhe të shtesave të kontratave. Pothuajse të gjitha këto firma kanë marrë shtesa kontratash, që është e barabartë me 20 % të vlerës fillestare. Me këto para’ duhej të mbylleshin të gjitha punimet, që nga ndërtimi e deri te sinjalistika apo siguria e tyre. Por, siç ndodh rëndom në gjithë Shqipërinë, për të njëjtën rrugë hidhen disa herë para’.

Tenderi i hapur nga Bashkia e Tiranës me objekt sinjalistikë në Unazën e Madhe

Sipas dokumenteve që disponon redaksia e “BoldNews.al”, Bashkia e Tiranës ka hapur procedurën e prokurimit me një afat 12 mujor. Objekti i kontratës “sinjalistikë Unaza e madhe”. Por, z. Veliaj a nuk duhej që këtë sinjalistikë ta bënte Balluku? Normalisht, Veliaj nuk po “ndihmon” zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, por firmat që kanë fituar tenderët e kësaj unaze. Ato firma që kanë marrë qindra milionë euro për ndërtimin. Tenderi i sinjalistikës duhej të ishte bërë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në momentin që do të përfundonte ndërtimi. Por, duket se Veliaj shpejtoi procedurën, duke akorduar për këtë tender një shumë prej 16.662.000 lekë pa TVSH. Me TVSH shuma shkon në 200 mijë euro. Redaksia e “BoldNews.al” shfletoi dokumentet shoqëruese të kësaj procedure, por në asnjë radhë nuk shkruhet se çfarë punimesh. Apo se çfarë segmenti! Pra, s’ka asnjë vend se ku do të hidhen. Ose ndoshta gjithçka është farsë?! Me ndërtimin e Unazës së Madhe të gjithë kanë përfituar, ndërsa më të dëmtuarit janë ata që iu prishën shtëpitë dhe të gjithë taksapaguesit.

Mësohet se Unaza e Madhe e kryeqytetit është një tërësi segmentesh rrugore në formë rrethore, e gjerë dhe me disa korsi, e gjatë 27 kilometra. Quhet kështu, pasi ka shumë lidhje me të gjitha rrugët hyrëse të kryeqytetit. Pra të gjithë ata që do të vijnë në të ardhmen nga verilindja e vendit, përmes rrugës së Arbrit do të kalojnë në këtë Unazë të Madhe. Pastaj, për të shkuar në çdo pikë të qytetit, e njëjta gjë praktikisht po ndodh me autostradën Tiranë-Elbasan, po ashtu dhe me autostradën Tiranë-Durrës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here