Burgosja e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit dhe pengimi i tij për të kryer betimin kanë qenë sot në fokus të konferencës së posaçme për shtyp të kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dules së bashku me ekipin e avokatëve të z. Beleri.
Në fjalën e tij, z. Dule tha: “Kjo është një çështje që nisi në 6 maj nga kryeministri dhe Kryetari i PS-së, zoti Rama. Nisi në fushatën zgjedhore në bashkinë e Himarës, ku u evidentuan prej të gjithëve dy elemente të papranueshme për një fushate zgjedhore: denigrimi i figurës së zotit Beleri me fyerje, bullizëm dhe karakterizime të papranueshme dhe së dyti me shpifje. Duke instrumentalizuar një intervistë në mediat greke, Rama shfrytëzoi segmente të medias së orientuar prej tij, e shndërroi në helenizim duke përmbysur kuptimin e fjalës.
Kur nuk gjetën një fakt të vetëm gjatë përgjimeve, realizohet një arrestim, në fakt – një rrëmbim demonstrativ në qendër të Himarës, kur ai ishte me avokatin e tij. Kemi arrestim të cilësuar në flagrancë pa asnjë provë, fakt e dokument.
Që nga 6 maji deri në 12 maj, përgjimet e Belerit u shoqëruan në paralelen tjetër me retorikën në rritje nacionaliste të Ramës.
Një orë para arrestimit Rama e kërcënoi drejtpërsëdrejti nga një emision televiziv. Rama nuk u ndal me kaq, para çdo vendimi të gjykatave si për gjykimin në themel edhe për masat e sigurisë apo leja për betim, i ka paraprirë me deklaratat publike, duke matur peshën e fajit dhe duke e krahasuar me raste analoge. Kjo është ndërhyrje e hapur në punën e gjyqësorit dhe dëshmon se Çështja Beleri ka qenë regji e monitorim nga Rama. Ju sjell në vëmendje se përjetojmë dy shkelje madhore kushtetuese.
Qëllimi ynë është ti përgjigjemi sensibilitetit jashtë dhe brenda vendit mbi ecurinë e procesit ligjoj ndaj kreut të bashkisë Himarë Fredi Beleri,” theksoi Dule.