Andi Bushati ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku u fol për Samitin e zhvilluar në Tiranë për Ukrainën.
Bushati tha se Samiti në vetëvete është pozitiv, por mediat shqiptare u sollën sikur vendi ynë është “qendra e botës”, ndëkohë që kontributi i të gjithë rajonit tonë në ndihmë të Ukrainës është minimal.
“Natyrisht nuk ka asgjë të keqe, madje ka të mirë, se po bëhen disa Samite dhe po i japin mundësi Tiranës të pastrojë edhe ajrin se ulet qarkullimi i makinave…
Këto janë takime rutinë. Kam vërejtje dhe më duket e ekzagjëruar, jo takimi por pasqyrimi mbi takimin. Po të shihje mediat në darkë, të dukej sikur jetonim në një vend që ishte kthyer qendra e botës.
Ky takim, është shumë i vogël. Të gjithë këto vende bashkë, në konfliktin e madh Rusi-Ukrainë, e kanë kontributin thuajse zero.
Në mediat franceze flitej që Franca të japë tre mijë predha. Disa ekspertë të luftës thoshin që Rusia hedh 20 mijë predha. Kur perëndimi sot, po dështon të përballojë sulmin e Putin, ç’mund të bëjë një kombinim liliput shtetesh? Po e pamë në pikturën e madhe, ky takim nuk përbën lajm. Por në mediat tonë i bëhej jehonë sikur këtu jemi kthyer në qendrën e botës.
Është absurd të mendosh që ajo që u bë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe vendet e tjera, kontributi është liliput. Atje është një popull që po përdoret si mish për top”, tha Bushati.