Opozita dërgoi një ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese padinë për kundërshtimin e tatimit sipas tyre të padrejtë të profesioneve të lira.
Lidhur me padinë ka reaguar së fundmi deputeti Ervin Salianji, i cili shprehet se e kanë për detyrë të kundërshtojnë dhe të luftojnë deri në fund për çdo padrejtësi që sjell qeveria.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Salianji shkruan se tatimii i profesioneve të lira është një barrë që ka projektuar Rilindja, ndërsa shton se pret nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë drejtësi.
Postimi i Salianjit:
Taksimi i profesioneve të lira është një zgjedhë e re e Edi Ramës, një sanksion i rëndë ndaj atij segmenti të shoqërisë që jeton vetë, falë dijes dhe ekspertizës, ndoshta e vetmja pjesë e shoqërisë që nuk kontrollohet e shantazhohet dot për vota nga qeveria e nga taborri i saj i inspektorëve.
Kjo është barra që projekton rilindja ndaj profesioneve të lira, e që në fund u kushton qytetarëve, që do paguajnë më shumë për shërbimet më të rëndësishme.
PD e ka për detyrë të kontestojë deri në fund e të luftojë me çdo instrument padrejtësitë që sjell qeveria dhe arbitraritetin e saj.
Derguam në Gjykatën Kushtetuese ligjin që vendos taksim të skajshem ndaj profesioneve të lira.
Ne shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do të gjejë kurajon të vendosë drejtësi, edhe nëse kjo lëndon qeverinë dhe Edi Ramen.