I vjetri iu fal Alabbarit/ Qeveria do shpenzojë 400 milionë euro nga taksat e shqiptarëve për portin e ri të Durrësit

0
248

Taksapaguesit shqiptarë pritet të shpenzojnë minimalisht 400 milionë euro nga taksat e tyre për ndërtimin e një porti të ri për vendin pasi qeveria fali me kontratë koncesioni të negociuar pa garë portin ekzistues të Durrësit për ndërtimin e një kompleksi pallatesh.

Koncesioni i Marinës së Durrësit, i cili u miratua me ligj special në parlament, pritet t’i kushtojë shqiptarëve jo vetëm koston e ndërtimit të një porti të ri por edhe kostot potenciale të padive gjyqësore të hapura nga kompanitë e ndryshme, kontratat e të cilëve u ndërprenë në mënyrë të papritur nga vendimi po aq i papritur i qeverisë për të privatizuar portin kryesor të vendit.

Së paku dy kompani kanë dorëzuar kërkesa për dëmshpërblim në Qendrën Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të Investimeve, një zyrë e Bankës Botërore, e cila funksionon në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare në të cilën Shqipëria është palë.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama bëri ndryshime në ligjin për Buxhetin e Shtetit dhe, në kundërshti me këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe kërkesat e Komisionit Evropian, synoi të minimizojë debatin publik mbi çështjen duke i prezantuar ndryshimet përmes një Akti Normativ, i cili shmang procedurat e rregullta parlamentare, supozohet për shkak të emergjencës.

Sipas ndryshimeve, 9.8 miliardë lekë do të duhet të jepen këtë vit për ndërtimin e portit të ri në Porto-Romano ndërsa në dy vitet në vijim pritet të jepen edhe 14.7 miliardë lekë në vit për një total prej 39.2 miliardë lekësh.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama e dha me koncesion portin e Durrësit pas negociatave private, në të cilat, në së paku në një rast, u gjetën duke ngrënë në një restorant luksoz në Dubai, të ftuar nga kompania që fitoi koncesionon./reporter.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here