Raporti i UNESCO-ICOMOS kritikon me “shqetësim të thellë” rrudhjen e Parkut Kombëtar të Butrintit, pasi i janë hequr 600 ha.
Referuar paraqitjes së hartave të përfshira në këtë raport, kjo sipërfaqe fillon nga Ksamili dhe zgjatet deri në gjirin e Manastirit, që ministrja Mirela Kumbaroi i referohet si “pika e voçkël”. Aktualisht aty po ngrihet një resort luksoz.
“Ekziston një situatë ku zona tampon e Parkut Kombëtar e Trashëgimisë Botërore tani përfshin edhe një resort të madh turistik” – ngre shqetësimin raporti.
Duke e konsideruar një “qasje pragmatiste” vetë Ministria e Kulturës është justifikuar para grupit vëzhgues të UNESCO-s se “po sakrifikon këtë pjesë të vogël të vijës bregdetare, afërsisht 100-150 ha, por do të çimentonte zgjerimin e mëtejshëm të urbanizimit, duke ruajtur kështu 9000 ha nga parku kombëtar”.
Ai i referohet periudhës 26 – 28 tetor 2023 dhe përmban kritika mbi mënyrën e administrimit dhe ndryshime në kufijtë e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Citizens Channel siguroi raportin nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ndërsa UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) i tha Citizens se raportet nga misionet këshillimore mund të ndahen publikisht vetëm në marrëveshje me shtetet, palë të interesuara.
“Kjo tregon mungesë ndërgjegjësimi nga ana e autoriteteve për funksionin mbrojtës të zonës tampon”, – kritikon raporti vendimin e janarit 2022 për reduktimin e sipërfaqes.
Zona buferike e çdo trashëgimie botërore është një hapësirë tampon që rrethon zonën e mbrojtur, dhe si e tillë ka kufizime ligjore në përdorimin dhe zhvillimin e saj.
Heqja e kësaj sipërfaqeje prej 600 ha nga Parku Kombëtar, nuk është njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore. Rrudhja e zonës B simbolizon një ndryshim në sistemin mbrojtës të zonës buferike, e cila tani është jashtë Parkut Kombëtar.
Raporti shpreh se përveç krijimit të këtij fondacioni për menaxhimin e Parkut të Butrinit nuk është paraqitur asnjë alternativë tjetër.
“Vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet e misioneve të mëparshme, të Komiteti i Trashëgimisë Botërore për një menaxhim të integruar të këtij parku që është pjesë e Trashëgimisë Botërore“- citohet në raport.
Zona A3, e cila ka një përqendrim të madh të monumenteve dhe potencialit arkeologjik, është e vetmja pjesë që parashikohet të jetë në menaxhimin e fondacionit të ri të krijuar nga bashkëpunimi midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), duke lënë jashtë menaxhimit pesë zona të tjera të parkut: zona A1, A2, B, C1 dhe D.
Në lidhje me qendrën e vizitorëve e cila ka kaluar nëpërmjet dy fazave dhe fituese është shpallur “Kengo Kuma & Associates“ misioni monitorues shprehet se nuk është informuar për asnjë detaj në lidhje me vendndodhjen, madhësinë apo natyrën e kësaj qendre.