Nuk ishte më një surprizë, po tani janë gazetat greke ato që kanë zbardhur pyetjen që Sali Berisha dhe mediat pranë opozitës i bënin gjykatëses së çështjeve të nxehta kundër kreut të opozitës dhe kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Irena Gjoka. Sipas tyre kryetarja e GJKKO ka pasur probleme me ligjin në Greqi dhe një gjë e tillë i është toleruar nga komisioni i vettingut. Kjo llogari e vjetër i ka bërë atë sipas gazetës greke “Ta Nea” të vihet në shërbim të pushtetit. Sipas “zbulimit” që bën media greke, që në fakt ishte një goditje e paralajmëruar.
Historia e 54 vjeçares Irena Gjoka, që dikur mbante mbiemrin Shpata (Irena Shpata e cila që nga viti 2011 përdor mbiemrin e bashkëshortit të saj aktual (të dytë) Gjoka) ka “llogari të hapura” me Greqinë. Ajo rerzulton të jetë arrestuar “për përdorimin e dokumenteve false me të cilat tentonte të tregonte se ishte me origjinë greke” shkruan Ta nea
“Për këtë arsye, asaj iu ndalua hyrja në vendet e Shengenit për 12 vjet dhe të dhënat e saj së bashku me gjurmët e gishtërinjve u regjistruan në bazën përkatëse të të dhënave. Më konkretisht, Irena Shpata së bashku me bashkëshortin e saj të parë që mbante mbiemrin Maneku tentuan të hynin në Greqi më 24 dhjetor 2002 nga Kakavija duke përdorur një vizë konsullore të falsifikuar për sa i përket periudhës së vlefshmërisë. Nëse dikush kishte një vizë konsullore 100 ditore, ai mund të merrte një kartë identiteti speciale të emigrantit (EDTO) në Greqi. Gruaja në fjalë kishte falsifikuar periudhën e vlefshmërisë së vizës konsullore për t’u dukur se ajo kishte një kohëzgjatje prej 100 ditësh, duke u përpjekur të tregonte se gjoja ishte nga Vorio-Epiri.
Së bashku me bashkëshortin e saj në atë kohë, ata apeluan në një gjykatë administrative në Greqi. Kërkesa e tyre u refuzua” informon media greke.
Andi Bushati: Paradoksi i të qenit pro Belerit dhe kundër Greqisë
Pastaj sipas gazetës ky fakt shumë i rënë u mbulua politikisht kur asaj i duhej të përballej me procesin e vettingut në vitin 2019. “Emërimet duhej të miratoheshin në parim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (i njohur në shqip si OMN), i cili përbëhej nga të huaj. Ky komitet konstatoi se Irena Shpata-Gjoka kishte kryer falsifikim dhe gjithashtu kishte problem dhe e skualifikoi.
Më pas ajo u ankua dhe komisioni i pavarur i vlerësimit të kualifikimeve (që është shqiptar) e pranoi atë, duke konsideruar se gjithçka është në rregull, vijon artikulli. Sipas tij, ky fakt i njollës në karierën e gjyqtares Gjoka dhe më pas shpëtimi që iu bë asaj për arsye politike e bën atë të njëanshme në shqyrtimin e procesit kundër kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Kathimerini në 10 pika/ Manipulimet më të mëdha të procesit Beleri
“Nisur nga ky zhvillim Irena Shpata-Gjoka është – sipas shumë ndjekësve të çështjes – e kontrolluar nga Rama pasi i detyrohet mirënjohje që e vendosi në këtë pozicion pavarësisht falsifikimit. Në të njëjtën kohë, sipas të njëjtave burime, mund të thuhet se ajo është e njëanshme dhe negative ndaj Greqisë dhe kryebashkiakut minoritar Beleri” përfundon artikulli.
Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi dhe akuzave të vazhdueshme nga berisha dhe Beleri në mbrojte jtë Irena Gjokës, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dalë Këshilli i Lartë Gjyqësor. “Këshilli vëren me keqardhje se këto deklarime të përsëritura publike në media përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar kompromentimin e pavarësisë së gjyqësorit, nëpërmjet përndjekjes mediatike.
Njëkohësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se këto qëndrime jo vetëm që ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës me synimin për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë” thuhet në deklaratë.
Pershtati nga Ta Nea, Lapsi.al