Veliaj shkon te oferta e 10-të për rrugën e oligarkëve të Rolling Hills, lidh kontratën pas 14 muajsh

0
174

Nga Boldnews.al

Një shumë e majme, 2.2 milionë euro nga taksat e banorëve të Tiranës, do të shkojnë për rrugën e fshatit “Rolling Hills”, atje ku banojnë oligarkët, bosët e mediave dhe disa nga politikanët e të gjitha krahëve.

Tenderi i hapur nga Bashkia e Tiranës 14 muaj më parë është finalizuar disa ditë më parë, me lidhjen e kontratës mes bashkisë dhe firmës fituese. Por, ajo që vihet re është se, fitues ka dalë oferta e 10-të më e ulët. 9 firmat që ofruan më pak sesa fituesi janë skualifikuar me arsyetime nga më të ndryshmet, teksa diferenca mes ofertës më të ulët dhe asaj fituese ishte plot 300 mijë euro. Ose rreth 20 % më shumë, që siç ka ndodhur dhe ndodh rëndom, paguhet nga firmat për të fituar tendera. Megjithatë, në këto radhë do të ndalemi te procedurat e ndjekura, të cilat kanë favorizuar dukshëm firmën fituese, e cila ka pasur edhe një hetim të mëparshëm penal.

Njoftimi i lidhjes së kontratës mes Bashkisë së Tiranës dhe firmës “Vëllezërit Hysa”

Dokumenti i mësipërm, i siguruar nga redaksia e BoldNews.al, është njoftimi për lidhjen e kontratës midis Bashkisë së Tiranës dhe firmës që u shpall fituese, “Vëllezërit Hysa”. Lloji i procedurës së ndjekur shkruhet se ka qenë “e hapur”, por që në fakt vetëm e hapur s’mund të quhet, pasi fituesi ka dalë oferta e 10-të. Objekti i kontratës është “ndërtimi i infrastrukturës lidhëse me autostradën Tiranë-Elbasan”.

Nisur edhe nga objekti, gjithçka duket se ka të bëjë me një punë publike, por që në fakt është rruga që të çon te fshatrat e më të pasurve. Aktualisht, janë disa rrugë që të çojnë në atë vend, pa trafik dhe të bëra disa vite më parë. Por, babëzia e tyre ka sjellë që ata të lobojnë direkt te kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që t’ua bënte rrugën direkt nga aksi Tiranë-Elbasan. Pra, me lidhje të drejtpërdrejt me autostradën. Por, nëse këta kanë lidhje me këtë rrugë, përse fshatrat e tjerë s’kanë akses? Në gjatësinë e këtij segmenti janë me dhjetra fshatra, banorët e të cilëve do të bëjnë dhjetëra kilometra më shumë për të shkuar te autostrada.

Sipas dokumenteve, fondi limit i kësaj procedure është 277.012.566 lekë pa TVSH. Ndërkohë, dokumenti parashikon se vlera totale përfundimtare e kontratës, përfshirë lotet, opsionet dhe nënkontraktimin, pra që do të marrë firma fituese “Vëllezërit Hysa”, është 225.305.531 lekë. Ose e konvertuar në euro, rreth 2.2 milionë euro.

Shpallja e njoftimit të fituesit

Dokumenti i mësipërm është shpallja e njoftimit të fituesit të kësaj procedure, e hapur më datë 30 dhjetor 2022, plot 14 muaj më parë. Në këtë tender vlerën më të ulët e ka dhënë bashkimi i operatorëve ekonomik “EURO-ALB” shpk & “SIRETA2F”, me një vlerë prej 167.545.609 lekë pa TVSH. Ofertat kanë vijuar nga 174 milionë lekë ajo e firmës “4 A-M”, e kështu me radhë nga 179, 182 milionë lekë të rinj. Ndërkohë, oferta e 9-të ishe ajo e bashkimit të operatorëve “BE – IS” & “ERGI” me një vlerë të ofertës prej 183.662.832 lekë pa TVSH.

Ndërkohë, oferta e 10-të ishte ajo e “VELLEZERIT HYSA” me një ofertë prej 187.754.609 lekë pa TVSH. Ndërkohë që në total kanë qenë 26 firma që kanë marrë pjesë në këtë tender. Në të njëjtin dokument detajohet se 9 firmat që ofruan më pak janë skualifikuar me arsye nga më të ndryshmet. Ajo e dyta, “EURO-ALB” & “S I R E T A 2F”, pasi stafin e kishin në një punë tjetër. Oferta e firmës “4 A-M” u skualifikua për shkak se mjetet i ka në kontrata të tjera. Me arsyetime të tjera kanë ikur edhe ofertat e tjera, për të shkuar te ajo fituesja, që ka pasur një diferencë prej rreth 300 mijë eurosh nga oferta më e ulët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here