Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, në mbledhjen e të martës, pritet të ndryshojë dy nene të statutit të partisë, që t’i japë mundësi Gazment Bardhit dhe një pjesë e deputetëve të grupimit të tij që të bëhen pjesë e strukturave të PD-së. Kjo do të ndodhë për shkak të pozicioneve që ata mbajnë aktualisht.
Ndryshimet e neneve parashikojnë që kryetari i grupit parlamentar dhe nënkryetari i Kuvendit, edhe në qoftë se nuk janë fitues në zgjedhje për nënkryetarë të partisë, marrin automatikisht këtë post. Po ashtu, parashikohet dhe që kryesia e grupit parlamentar (ku përfshihet nënkryetari) dhe kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve Parlamentare në Kuvend bëhen automatikisht pjesë e Kryesisë së partisë.
Kështu, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj do të marrin postine nënkryetarit, për shkak të pozicionit që mbajnë kryetar grupi dhe nënkryetar Kuvendi.
Ndërkohë, në strukturën drejtuese (Kryesi) do të përfshihen dhe nënkryetari i grupit, Ervin Salianji dhe kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve Parlamentare në Kuvend.
Në këtë mënyrë, ata nuk do të votohen as në Kryesi dhe as në Këshillin Kombëtar, por do të marrin këto pozicione duke u emëruar me ndryshime statuti. Bardhi dhe Gjekmarkaj i bashkohen në pozicionin e nënkryetarit të PD-së, Oerd Bylykbashit dhe Luçiano Boçit.