GJKKO dënon me 2 vite burg Fredi Belerin, avokati: Vendim i porositur nga Rama

Gjykata e Posaçme dënoi këtë të martë me 2 vite burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, për korrupsion në zgjedhjet lokale të 2023-it. Ndërsa Pandeli Kokaveshi është dënuar me 1.6 vite burg, konvertuar në shërbim prove.

Vuajtja e dënimit për Belerin nis prej 12 majit 2023, kur edhe u arrestua, dy ditë para zgjedhjeve lokale.

Gjatë seancës së sotme, ashtu si gjatë gjithë procesit, Belerit është shprehur se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë dhe se arrestimi i tij është bërë me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama, me qëllim që ky i fundit të mbajë nën kontroll bashkinë e Himarës.

“Prokurori kërciste stilolapsin në tavolinë. Më ka bërë presion. SPAK kërkon të më dënojë përsa kohë i duhet Edi Ramës”, tha Beleri para shpalljes së vendimit, ndërsa akuzat e prokurorisë i cilësoi “sajesa qesharake të pabazuara”.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe avokati i Belerit në një prononcim për gazetarët në dalje të gjykatës.

“Ky është vendim politik siç e porositi kryeministri”, tha avokati , i cili paralajmëroi ankim të vendimit.

Share it :