“Ligjet”, socialistët vendosin zgjatjen me një vit për Investimet strategjike

0
227

Komisioni parlamentar i Ligjeve vendosi të henën që afati i ligjit për investimet strategjike të shtyhet deri në 31 dhjetor 2024, duke rrëzuar propozimin e deputetit Eduard Shalsi për shtyrjen e këtij afati deri në dhjetor 2027.

Po ashtu ky komision rrëzoi të gjitha propozimet e tjera të deputetit socialist që sipas tij synonin përmirësimin e këtij ligji dhe procedurat e dhënies së statusit “investitor strategjik”, me arsyetimin se qeveria po përgatit ligjin e ri për investimet.

Propozimi që komisioni të vendoste vetëm për zgjatjen e efekteve të ligjit u bë nga relatorja e projektligjit, Klotilda Bushka, e cila drejton komisionin e ligjeve.

“Kemi komunikuar dhe me Këshillin e Ministrave dhe ka ecur përpara drafti për ligjin e investimeve, ndaj propozojmë që të adresojmë afatin, po ndërkohë të gjitha sugjerimet e vlefshme t’i adresojmë në qeveri që të merren parasysh për kuadrin legjislativ të plotë”- tha ajo.

Bushka tha se dukej një afat i arsyeshëm shtyrja deri në fund të këtij viti.

Ndryshimet ligjore të propozuara nga Shalsi parashikonin të rrisin vlerën e investimeve deri në 100 milionë euro për ato investime që do të marrin statusin “investitor strategjik me procedurë të veçantë”, dhe t’i japin më shumë rol në vendimmarje ministrive të linjës për të përgatitur studimet dhe kontratat.

Por propozimet e tij u rrëzuan edhe nga Këshilli i Ministrave, i cili me anë të një dokumenti të emërtuar “dhënie mendimi” dha dakordësi vetëm për shtyrjen e afatit.

Edhe vetë nismëtari pranoi të hënën propozimin e kolegëve socialistë për të votuar vetëm shtyrjen e afatit dhe afrimin e tij deri në fundin e këtij viti dhe shtoi se edhe ai shihte të rëndësishme hartimin sa më parë të ligjit të ri për investimet.

Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj e quajti ligjin “klientelist” dhe “korruptiv”. “Ligj me 40 emra bashkëngjitur”- tha ai, duke iu referuar numrit të investitorëve strategjikë të miratuar nga 2016 deri tani.

“Ia shtyni jetën një regjimi juridik të cilin as ju nuk e besoni më”- shtoi Alibeaj.

Ligji i cili u miratua si një masë e përkohshme ligjore në vitin 2015, ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve.  Sipas ekspertëve të ekonomisë, ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.

Vendimet e miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i kanë ofruar ‘investitorëve strategjikë’ qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturës ndihmëse; si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.

/Reporter.al/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here