‘Beleri’ si simbol i debilizimit të debatit publik

0
108

Nga Andi Bushati

Po të analizosh i shkëputur nga tirania e çastit, qoftë shkatërrimi i drejtësisë, qoftë normalizimi i proceseve me prova të manipuluara, qoftë banalizimi i gjykimit me urdhër politik janë, të gjitha së bashku, dëmi më i vogël i asaj që na dëshmoi çështja Beleri. Kostoja më e madhe është debilizimi i debatit publik, në një shkallë të paimagjinueshme dhjetë muaj më parë, kur kandidati minoritar i opozitës për bashkinë e Himarës, u burgos me akuzën për blerje votash.

Që nga ajo ditë e 12 majit e deri më sot, personalisht, kam marrë pjesë në dhjetra debate televizive, në emisione të ndryshme, por në asnjë, absolutisht në asnjë, nuk kam arritur të zhvilloj një bisedë normale, ku faktet konkrete që janë në dëm të të akuzuarit krahasohen me provat që ai ka në favor.

Në vend të këtij diskutimi racional jam gjendur gjithmonë përballë klithmash nacionaliste, përballë konspiracioneve me kuaj troje, përballë sfilatave dhe flamur kombëtar.

Pyetjet e thjeshta: a është burgosja e nxitur nga kërcënimi personal i Edi Ramës; a ishte dëshmitari, spiuni i paguar i policisë; a janë falsifikuar procesverbalet e lejimit të përgjimit; a kanë vlerë provat e marra ilegalisht; pse mungojnë gjurmët e gishtave në lekët e korrupsionit; pse gjykata nuk lejoi ballafaqimin e dëshmitarëve, apo pse, tashmë i dënuari, nuk pati mundësi as ti dëgjojë as ti shikojë në sallën e gjyqit, regjistrimet për të cilat ndodhet në burg, merrnin gjithnjë përgjigje haluçinante.

Ato përmblidheshin kryesisht në tre mjegullnaja idioteske.

E para, se Fredi Beleri ishte një maskara, që ka qenë i dënuar, që ka vrarë njerëz, që na ka djegur flamurin, që i shërben rrëmbimit të trojeve të Vorio Epirit nga Greqia.

E dyta, se ka ardhur momenti që ti thyejmë hundët Athinës, se jemi bërë tashmë një shtet i fortë i NATO-s, që s’kemi pse pyetsim as për presionet e kryeministrit grek, as për mitingjet e kryebashkiakëve fqinjë në tokën tonë e as për vetot e Athinës për integrimin në BE.

E treta, se ne nuk e harrojmë genocidin ndaj çamëve, rrëmbimin akoma dhe sot të pronave të tyre, dhunimet e panumërta ndaj emigrantëve tanë, ndryshimet e detyruara të emrave, madje as faktin se Janina dhe Preveza janë tonat.

Ishte e kotë që në këtë delir dikush të thoshte se Beleri duhej të gjykohej për të gjitha akuzat e mëparshme, se e dënonte sjelljen arrogante të qeverisë helene, se e denonconte sjelljen e shtetit grek ndaj emigrantëve dhe pronat e çameve, por se asnjëra prej tyre nuk ishte pjesë e çështjes në fjalë: burgosjes me apo pa prova të kandidatit minoritar të opozitës.

Deliri i studiove televizive, ku atij që mendonte ndryshe i gjuhej me shishe uji kokës, u përhap si epidemi edhe në rrjetet sociale ku masakroheshin ata që konsumonin sufllaqe lëmoshë nga Athina, apo në biseda kafenesh, ku shoku i thoshte plot siguri shokut: “Emo mir ia bënë grekut të mutit”.

Në harkun e disa muajve, një koalicion laraman mes rilindasish të thekur, grekofobësh të vendosur dhe mbështetësish pro amerikanë të drejtësisë së re, arritën të vrasin çdo debat racional për një procedurë gjyqësore.

Në mënyrë të orkestruar, fakteve ata i mbivendosën emocionet, realitetit paranojën, debatit mbi provat histerinë nacionaliste.

Prandaj e them me bindje, nga ajo që kam përjetuar si dëshmitar në studiot televizive dhe nga ajo që kam ndjekur nga ekrani, si spektator i thjeshtë, se dëmi real i procesit Beleri nuk është drama që u zhvillua pas kafazit të xhamtë ku mbahej i akuzuari, në sallën e gjyqit, por ajo që ndodhi jashtë atyre mureve.

Masakra e vërtetë është se strategjia për të debilizuar debatin publik ia doli të fitonte. Çoroditja e mundi mendimin e lirë. Kakofonia e mposhti etjen për të vërtetën.

Cilido që ka lexuar sa do pak për rënien dhe asgjesimin e demokracive e kupton lehtë se këto janë sinjale të dukshme të asaj që po ndodh. Pikërisht për këtë unë këmbëngul në faktin se “procesi Beleri”, qoftë edhe nëse dënimi i tij është 200% i padrejtë, përbën një dëm shumë më të vogël sesa ajo që ndodhi përreth tij. Pasi në një atmosferë të tillë, ku paranoja i mbivendoset realitetit edhe gjykatësit do ta kenë më të lehtë, në të ardhmen, të japin vendime pa prova. Po ashtu edhe gazetaria do të shkojë drejt anomalisë, ku opinionet do të vrasin faktet. Pra në situata ku publiku e humb orientimin, të gjitha kundër pushtetet, mund të bien më lehtë në zgjedhën e atij politik. Kjo është drama reale e gjyqit Beleri dhe prandaj, ai mund të konsiderohet si një provë gjernerale për fazën e rrezikshme ku po hymë./LAPSI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here