Bomba e SPAK që dogji mullarët e qeverisë

0
164

Nga Luçiano Boçi

SPAK hodhi gjylen e madhe, të radhës, në oborrin e qeverisë. Qëllimi ishte i thjeshtë: Krijimi i tymnajës së radhës, sikur këto bumje janë bomba moderne e jo thjesht gjyle antike që po godasin fort fare korrupsionin.

Që gjylja të ngjante si bombë atomike megatonëshe, kësaj here u shenjëstrua ministri i vetë bombave, i mbrojtjes d.m.th Peleshi.

Zgjedhja e Peleshit nuk ishte as rastësi dhe as domosdoshmëri drejtësie. Por ishte domosdoshmëri tymnaje.

Sepse pas inaugurimit dhe të bazës së NATO-s efekti radioaktiv i kësaj gjyleje pretendohej të ishte akoma më i madh dhe zhurma akoma më shurdhuese.

Kjo ka të bëjë me momentum-in e zgjedhur, sigurisht jo pa qëllim. Dhe ky moment ka të bëjë me situatën brenda institucioneve të drejtësisë.

Nuk ka të bëjë vetëm me atë paradën e parë rëndom gjatë kësaj kohe, ku ministra e ish-ministra hyjnë e dalin nga SPAK sikur po kalojnë përmes lumit Jordan, për t’u pastruar nga mëkatet dhe jo për të mbajtur mbi supe grabitjet e shumfishta të realizuar “en group” me Ramën në krye. Peleshi i shkretë ndryshe nga të tjerët kësaj herë bëri paradën (jo ushtarake) jo për mëkatet e veta (u thirr për inceneratorët!!!!?), por për mëkatet e vetë drejtësisë së re.

Shkurt e qartë Drejtësia e re sot është e diskretituar si një drejtësi e kapur politike që ndjek e zbaton urdhra që vijnë nga ekzekutivi. Dëshmitë e rënies së drejtësisë janë tronditëse.

Daljet në median greke të dokumentave që dëshmojnë dënimin e gjyqtares së GJKKO Gjoka me mbiemër të transformuar, ka hedhur në erë procesin e vettingut.

Sikurse delegjetimon dyfish vendimet e saj e jo vetëm, të marra ndaj liderit të opozitës z. Berisha, me të cilin është dhe në konflikt interesi për arsye të shkarkimit të saj. Situata është akoma më e rëndë në raport me dy vendimet e fundit të GJKKO ndaj Belerit dhe të Gjykatës Lartë ndaj Berishës. Këto vendime dëshmojnë lojën e paradës së veprimtarisë së institucioneve të Drejtësisë së re sipas parimit: Bëj sikur arrestojmë tanët (qeveritarët) e burgosim kundërshtarët politikë. Dhe këtu veprojnë “bombat”: Thirret Gjiknuri (askush nuk e di për çfarë) e as përcaktohet me cilin status thirret, por për t’u dënuar dënohet Beleri, pa prova bindëse e stimulime antikushtetuese.

Kalon në paradë Peleshi, pa asnjë dijeni për çfarë e si, se  me demek “sekret i modh”, por ama në arrest lihet Berisha.

Ndërtohet kështu për publikun një pritshmëri false, e cila nuk prodhon asgjë të drejtë, përveçse justifikon arbitraritetin politik të një strukture që sa vjen e shfaqet gjithnjë e më shumë si armë politike që vret opozitën, por që gjuan njëkohësisht me gjyle mullarët e barit të qeverisë.

Mato Gruda  i “Njeriut me Top” do ia kishte zili shënjestrën!

*Marrë nga “FB” i autorit

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here