Precedenti “Arnisa Këlliçi”/ A po gabon sërish KLGJ me mbrojtjen e Irena Gjokës

0
146

Nga Boldnews.al

Këshilli i Lartë Gjyqësor reagoi mesditën e së hënës (4 mars 2024) në mbrojtje të gjyqtares së posaçme, Irena Gjoka (Maneku), pas atyre që i konsideroi si “sulm dhe cënim të rëndë të figurës”, referuar deklaratave publike të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe avokatëve të tij mbrojtës.

KLGJ i referohej deklarimeve, në të cilat ngrihen dyshime mbi integritetin personal dhe profesional të gjyqtares Gjoka.

Reagimi i “qeverisë së gjyqësorit” përkoi saktësisht me publikimin në median greke të informacioneve, sipas të cilave Irena Gjoka, e cila më parë ka mbajtur mbiemrin “Shpata”, është arrestuar nga autoritetet në Greqi në vitin 2002 për falsifikim të dokumentave, si edhe dëbuar për në Shqipëri, së bashku me bashkëshortin e saj.

Këto detaje, nëse konfirmohen me dokumenta zyrtarë, përbëjnë një goditje shumë të rëndë për figurën e gjyqtares, e cila për më tepër është edhe drejtuese e Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Të dhënat e medias greke, nëse janë të vërteta, nuk përbëjnë thjesht shkelje etike, por edhe vepër penale nga gjyqtarja Gjoka, e cila nuk i ka deklaruar ato në formularin e “Dekriminalizimit”.

Veprimi i parë dhe më logjik që duhet të bënte Këshilli i Lartë Gjyqësor ishte të kërkonte informacion nga Irena Gjoka mbi këto të dhëna mediatike, si edhe të kërkonte bashkëpunimin e Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar situatën e Dekriminalizimit apo të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) për të nisur hetim për “falsifikim dokumentash” e të dërgonte letër-porosi pranë autoriteteve greke.

Por, KLGJ ndërmori një hap tjetër, tërësisht në të kundërt. Lëshoi një deklaratë që shigjetonte Berishën dhe avokatët e tij për deklaratat ndaj Irena Gjokës.

Por, çfarë thanë Berisha dhe mbrojtësit e tij ligjorë? Prej ditësh, ata i kanë kërkuar publikisht dhe zyrtarisht gjyqtares Gjoka që të tregojë nëse është arrestuar dhe deportuar nga Greqia.

Pavarësisht termave të përdorur nga Berisha, fakti mbetet që mbi gjyqtaren Gjoka ka dyshime të forta për shkelje të ligjit grek, e cila u përforcua më shumë nga një raportim i të përditshmes prestigjioze “Ta Nea”.

KLGJ, në reagimin e tij, vendosi të “sulmojë” gishtin që tregon faktet e dyshuara dhe jo personin e dyshuar për shkelje penale.

Reagimet pasionante dhe të nxituara të Këshillit të Lartë Gjyqësor tashmë janë bërë rutinë për institucionin që ka për detyrë trajtimin e karrierës së gjyqtarëve.

Rreth një muaj më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor reagoi me shpejtësi dhe urdhëroi mbrojtje të posaçme fizike për gjyqtaren e Tiranës, Arnisa Këlliçi dhe familjarët e saj, pas një raportimi se ajo ishte kërcënuar me jetën e fëmijëve të saj.

KLGJ injoroi qëndrimin e Policisë së Shtetit dhe shërbimeve të tjera të specializuara, të cilat nuk ishin dakord me dhënien e mbrojtjes së gjyqtares, pasi kishin nuhatur se historia mund të ishte e sajuar.

Vetëm dy javë më pas, KLGJ, për turpin e tij, u detyrua të hiqte mbrojtjen për Këlliçin dhe urdhëroi pezullimin e saj nga detyra, pasi Prokuroria e Tiranës konstatoi se historia e kërcënimit ishte një sajesë e rëndomtë e gjyqtares së Tiranës dhe e mori atë të pandehur për “falsifikim dokumentash”.

KLGJ nuk publikoi asnjë ndjesë publike në atë rast për nxitimin e pakuptimtë dhe që e vendosi institucionin në një situatë qesharake.

Por, ai rast, duket se nuk i ka shërbyer aspak Këshillit të Lartë Gjyqësor që të heqë dorë nga veprimi me pasion dhe të shoh me ftohtësi faktet, para se të shpërndajë deklarata publike me sfond politik.

Çfarë do të ndodh nëse të dhënat e publikuara në “Ta Nea-n” greke për Irena Gjokën do të konfirmohen? A do t’i kërkojë KLGJ falje Sali Berishës dhe avokatëve të tij mbrojtës për atë deklaratë që shpërndanë në fillim të kësaj jave?

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here