Një raketë ruse ka goditur qytetin port të Odesës në Detin e Zi, duke lënë të vdekur pesë persona. Sipas CNN, raketa ka rënë 500 metra larg një autokolone që transportonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
Raportohet se autokolona e dy liderëve ndjeu ndikimin e sulmit dhe grupi më pas panë edhe një re tymi.
Pesë persona u vranë në sulm dhe të tjerë u plagosën, tha për CNN zëdhënësi i marinës ukrainase, Dmytro Pletenchuk.
Asnjë nga dy liderët nuk u plagos, por Zelensky tha se ishte mjaft afër sa të kishte parë dhe dëgjuar goditjen.
“Ne e pamë goditjen sot. E shihni me kë kemi të bëjmë, nuk u intereson se ku godasin. E di që ka pasur viktima sot, nuk i di ende të gjitha detajet, por e di që ka të vdekur dhe të plagosur”, tha Zelensky nga Odesa. “Ne duhet të mbrohemi para së gjithash. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është me një sistem të mbrojtjes ajrore”, shtoi ai.
Kryeministri Mitsotakis tha se Zelensky i kishte bërë atij një turne në qytet, i cili ka pësuar dëme të mëdha nga muaj të tërë të sulmeve ruse, përpara se të dëgjonin sirenat e sulmit ajror.
“Menjëherë pas kësaj, ndërsa po hipnim në makinat tona, dëgjuam një shpërthim të madh,” u tha Mitsotakis gazetarëve. “Unë mendoj se për ne është kujtesa më e mirë, më e gjallë se këtu po zhvillohet një luftë e vërtetë. Çdo ditë ka një luftë, e cila nuk prek vetëm frontin, ushtarët, por prek edhe bashkëqytetarët tanë të pafajshëm”, deklaroi ai.