“Wizz Air” padyshim gëzon reputacionin si kompania më me probleme sa i përket linjave ajrore të fluturimeve, e cila qëndron më shumë në tokë se sa në ajër, për të cilën qindra pasagjerë në vendin tonë dhe mijëra në të gjithë botën, ankohen çdo ditë për anullime dhe vonesa të gjata, qëndrime për orë të tëra në aeroport, moskompensim të pasagjerëve, ndryshimeve të destinacioneve, anullim të biletës dhe shitjen me një vlerë më të lartë, prishjen e planeve të punës apo biznesit, para të çuara dëm të shërbimeve të ndryshme si hoteleri apo paketa turistike, etj.
Të gjitha skenarët e mundshëm dhe ato që nuk ju kishin vajtur ndonjëherë ndërmend, mund të ndodhin me “Wizz Air”, e jo më kot kjo kompani është në krye të listës si kompania më e keqe në botë e fluturimeve, titull që ja ka vendosur prestigjozja britanike “Which?”, e cila me anë të ekspertëve të saj, teston shërbime dhe produkte të ndryshme, në mënyrë që të mbaj përdoruesit e këtyre shërbimeve larg nga mashtruesit.
Pa hyrë në detaje të tjera të cilësisë së fluturimit apo shërbimit, në këtë investigim do t’i përmbahemi fakteve pse kompania e fluturimeve Wizz Air është kompania e fluturimeve “MË E TMERRSHME NË SHQIPËRI”, e cila i shkakton një dëm prej qindra mijëra euro në vit udhëtarëve shqiptarë!
Ekskluzive.al në bazë të “Ligjit për të Drejtën e Informimit, i ka kërkuar Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar informacion të detajuar për fluturimet e anulluara dhe vonesave të gjata për disa nga linjat kryesore që operojnë në vendin tonë si: Wizz Air, Air Albania, Albawings, Lufthansa dhe Ryanair.
Nga burimet zyrtare të AAC, rezulton se Wizz Air është kompania që ka numrin më të madh të vonesave mbi 3 orë dhe anullimeve përgjatë vitit 2023, me një koeficent 26.7 për 1 mijë fluturime, e pasuar nga një koeificent 3-4 herë më të ulët të Ryanair me 9.8 dhe Albawings me 6.3. Ndërsa kompania ajrore Air Albania 0.8 dhe Lufthansa 1.9 kanë koeficentin më të ulët sa i përket vonesave mbi 3 orë (shih tabelën mëposhtë).
Sa i përket anullimeve, Wizz Air është në vendin e dytë me një koeficent 4.9 për 1 mijë fluturime, në vendin e parë është kompania Lufthansa me 5.2, e ndjekur nga Air Albania me 2.5 dhe Albawings me koeficentin më të ulët 0.6.
Portali ka denoncuar rastin skandaloz sa i përket anullimeve dhe vonesave mbi 3 orë jo vetëm me artikuj por edhe tek përfaqësues të Wizz Air për Shqipërinë, nisur nga shqetësimet dhe denoncimet e udhëtarëve të shumtë. Përgjigja e tyre ishte, se: “Wizz Air ka këtë shifër të lartë vonesash dhe anullimesh, sepse zotëron pjesën më të madhe të tregut.”
Por faktet dëshmojnë të kundërtën, se shqetësimi i udhëtarëve të kompanisë “Wizz Air” është me baza, pasi kompania e fluturimeve po përpiqet të fshihet e justifikohet pas shifrave, por mjafton të analizojmë të dhënat e mësipërme, të kuptojmë se zotërimi i tregut nuk ka të bëj me numrin e lartë të anullimeve por me cilësinë e shërbimit.
Mjafton të krahasojmë Wizz Air me kompaninë Air Albania. Si shpjegohet që kompania Air Albania për 4748 fluturime ka vetëm 4 vonesa mbi 3 orë?! Ndërkohë Wizz Air për 7928 fluturime, që i bie rreth 36% më shumë se Air Albania, ka 212 vonesa mbi 3 orë. Nëse do të ishte siç pretendojnë përfaqësuesit e Wizz Air, atëherë i bie që dhe Air Albania të ketë një koeficent rreth 12.5 në raport me 0.8 që paraqitet nga raporti zyrtar i AAC.
Njëkohësisht edhe për anullimet, Wizz Air ka një koeficent të lartë prej 4.9 për 7928 fluturime, i cili krahasuar me kompaninë Albawings është relativisht shumë i lartë, pasi gëzon një koeficent prej 0.6 për 3172 fluturime. Sipas logjikës së Wizz Air, pra sa më shumë fluturime aq më shuma anullime, i bie që kompania Albawings duhet të kishte një koeficent 2 për 1 mijë fluturime.