Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas denoncimit të Princ Lekës dhe Elia Zaharisë, për dhunë në familje. Verifikime do të kryhen edhe për videon e momentit të përplasjes mes çiftit e cila u shpërnda në media.
Hetimet do të kryhen për veprën penale “Dhunë në familje”. Ishte Princi Leka i cili kallëzoi Elia Zaharinë dhe babanë e saj, Gjergj Zaharia, për dhunë ndaj tij. Nga ana tjetër edhe familja Zaharia ka denoncuar Princin.
Të dyja palët pretendojnë për dhunë.
“Prokuroria Tiranë nis hetimet për Veprën Penale ‘Dhunë në Familje’ pas denoncimit të shtetasit L.Z., verifikime edhe për publikimin e videos, provë materiale
Në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më datë 06.03.2024, ora 15.00 është referuar nga Komisariati i Policisë Nr.1 materiali kallëzues i shtetasit L.Z për veprën penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, regjistroi kallëzimin penal nr.2893 për Veprën Penale të parashikuar nga neni 130/4 i Kodit Penal.
Materiali është shortuar dhe i është ngarkuar prokurorit përkatës.
Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, ju bëjmë me dije se, nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale.
Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur.
Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjensia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse”, njofton prokuroria.