Nga Luçiano Boçi/
Sot është dita e mësuesit!
Ditë urimesh pa fund ku nuk mund të mungojë dhe imi.
GËZUAR 7 Marsin të dashur mësues!
Mësues që jeni sot të tillë, ju që na mungoni e ju që ndiqni me pasion dëshirën për të qenë të tillë një ditë.
Sot nuk është e lehtë të jesh në një mision-punë si mësues. Herë-herë ngjan gati e pamundur.
Dhe e gjitha kjo ka ndodhur, sepse MËSUESI ka humbur.
Po, po! Ka humbur.
Edhe sot po e kërkoja ecur rrugëve të qytetit tim.
Vështirë ta gjesh Atë, atë të dikurshim me autoritetin absolut të mbartësit e përcjellësit të dijes.
Atë para të cilit automatikisht duart të dilnin nga xhepat.
Atë që të korrigjonte dhe me një shikim e të inkurajonte dhe me një buzëqeshje.
Atë pra, atë mësuesin që e përshendeste e gjithë lagjja apo qyteti.
MËSUESIN idhull, i cili të bënte krenar notën e vlerësimin dhe shkollën.
Nuk po kërkoja thjesht Agron Stringën, Xhuli Stringën, Mehmet Çelikun, Delianën e famshëm, Donika Krësten, Qazim Radoniqin, Paqize Gjinin, Nos Papajanin, Genc Trëndafilin, Bashkim Gjevorin, e shumë të tjerë mësues të mi apo kolegë ndër vite, njerëz e mësues të jashtëzakonshëm, me të cilët më ka lidhur jeta e për të cilët kam vlerësim të pashtershëm.
Nuk po kërkoja as thjesht Dianën, Agimin, Silvanën, Kujtimin e të tjerë mësues që nuk i njoh personalisht, por që sot japin mësim me pasion dhe përkushtim, në një situatë sociale e politike krejt të pazakontë.
Po kërkoja MËSUESIN!
Atë mësuesin që na e kanë humbur.
Që na e kanë denigruar, duke ia hequr vlerësimin dhe rrëzuar autoritetin.
Që na e kanë kyçur aty pas letrave, prapa një page mjerane dhe që i kanë vënë mbi kokë dallkaukë politikë e alarme humbje vendi pune.
Që profesionin ia kanë shndërruar në dramë jetese e jo mision jete.
Që na e përdorin si objekt politik dhe jo si subjekt social me peshë të pakrahasueshme.
Që e tallin e përqeshin sa herë ia do oreksi shoqërisë e politikës së shpifur të ditës dhe që nuk e vlerësojnë asnjë ditë, e as në fund të vitit.
Ju lutem kthejeni MËSUESIN midis nesh!
Ose më saktë:
Të luftojmë së bashku që ta sjellim MËSUESIN me dinjitetin e tij të plotë midis nesh!
Ky është mision!
Gëzuar 7 Marsin, mësues, pedagogë, kolegë kudo ku jeni!