pazakontë ajo që ndodhi këtë të enjte në parlament, teksa socialistët miratuan projektligjet në rendin e ditës në mungesë kuorumi, në kundërshtim me rregulloren e Kuvendin.
Për nga mënyra e zhvillimit, edhe kjo seancë plenare ishte e ngjashme me ato që kemi parë gjatë javëve të fundit: Deputetët demokratë të pranishëm protestuan me pankarta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama dhe ndezën pajiset zhurmuese. Qëllimi, siç është shprehur opozita, është moslejimi i zhvillimit normal të seancave plenare derisa t’u kthehen “të drejtat e mohuara kushtetuese”, si ngritja e komisioneve hetimore parlamentare, apo përfaqësimi në komisionin e reformës zgjedhore.
Seanca nuk pati diskutime, ndërsa drejtuesja Ermonela Felaj, kaloi menjëherë votim projektligjet në rendin e ditës. Votim që sipas opozitës ishte joligjor.
Miratim pa kuorum
Pika 2 e Nenit 55 të Rregullores së Kuvendit parashikon se “kuorumi për çeljen e votimit parlamentar është të paktën 71 deputetë”.
Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonala Felaj pohoi se 68 deputetë iu përgjigjen votimit për prezencën.
Në kushte normale, siç kërkoi dhe opozita, votimi nuk duhet të ishte zhvilluar për shkak të mungesës së kuorumit – më pak se 71 deputetë ishin prezentë në sallën e parlamentit.
Megjithatë, Ermonala Felaj vendosi kalimin në votim të projektligjeve në rendin e ditës.
“68 deputetë ngritën kartonat për të verifikuar prezencën e tyre në sallën e Kuvendit. Vazhdojmë me votimin e akteve”, u shpreh ajo.
Deklarata e Felajt në minutën 6:50 të videos – ku pasqyrohet seanca plenare e kësaj të enjteje, që zgjati rreth 33 minuta
Kërkesës së ligjvënësve të opozitës për të mos zhvilluar votimin pasi jemi në kushtet e mosplotësimit të kuorumit, drejtuesja e seancës Felaj i dha një përgjigje ironike: “Nëse nuk do ishin shkëputur kaq gjatë nga Kuvendi, do ta kishin lexuar rregulloren dhe do ta kishit kuptuar”.
Më tej, Felaj kaloi në procesin e votimit dhe me më pak se 71 deputetë prezentë në sallë, socialistët ngritën kartonat për të miratuar projektligjet në rendin e ditës. Mes tyre ishte dhe zgjatja me një vit e afatit të projektligjit për investimet strategjike.
Pas seancës, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi ripërsëriti se votimi ishte joligjor për shkak të mungesës së kuorumit.
“Sipas rregullores së Kuvendit dhe jurisprudencës, thuhet që për efekt të kuorumit llogariten vetëm ata që kanë marrë pjesë në votim dhe në votim morën pjesë 68 deputetë. Që të hapet votimi duhen 71. Por kjo se ndal vrullin për të miratuar ligjin për investimet strategjike që është në interesin e mirëfilltë të një grushti oligarkësh dhe një grushti anëtarësh të krimit të organizuar që kanë marrë statusin e investitorit strategjik. Imagjinojeni çfarë iu bëjnë parave të shtetit”, tha Bardhi.
“Sot në drejtimin e seancës (Ermonela Felaj) ishte përfaqësuesja e 5 oligarkëve që përfitojnë nga ligji dhe 3 grupeve kriminale që përfitojnë po ashtu nga ligji për investimet strategjike”, shtoi.
Ai i bëri apel Presidentit Bajram Begaj të mos dekretojë ligjet e miratuara nga mazhoranca përmes procedurës në shkelje të rregullores së Kuvendit.
“Do të duhet që Presidenti të justifikojë rrogën. Është një procedurë që kryen në verifikim dhe në presim që të shprehet për ligjin e zonave të mbrojtura dhe të kthejë këto ligje që quhen të miratuara, por nuk janë”, tha Bardhi.