“Beleri i burgosur politik”/ Meta: Rasti i tij dëshmon kapjen e drejtësisë nga Rama!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë këtë të enjte një intervistë për median greke, Open Tv, ku ka folur për rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Belerit, dhe dënimin e tij me dy vite burg.

Meta e ka quajtur dënimin e Belerit goditje politike, teksa shprehet se rasti i tij dëshmon kapjen e drejtësisë nga Edi Rama.

Pyetje: Si e komentoni vendimin e Gjykatës Speciale për Fredi Belerin?

Ilir Meta: Nuk është Gjykata Speciale, është Gjykata e Ramës, është gjykatë politike.Beleri nuk u arrestua, ai u rrëmbye dhe të gjithë e dinë se gjithçka ishte e parafabrikuar.

Kryeministri në një intervistë televizive, disa orë përpara se Policia ta rrëmbente Belerin, kryeministri pra e paralajmëroi Belerin se do merrej personalisht me të.

Pyetje: A mendoni se Beleri është i pafajshëm?

Ilir Meta: Unë besoj se Beleri është kryetari legjitim i Bashkisë së Himarës, i zgjedhur nga njerëzit, i konfirmuar nga KQZ dhe sipas Kushtetutës sonë, asgjë nuk mund ta ndalojë që të bëjë betimin.

Pyetje: A është gjyqtarja Irena Gjoka e urdhëruar nga Rama?

Ilir Meta: Drejtësia këtu është totalisht e kontrolluar nga Rama. Kjo çështje është vetëm politike, dhe nuk ka aspak të bëjë me respektin ndaj ligjit,  ndaj Kushtetutës dhe ndaj vullnetit të njerëzve.

Pyetje: A mendoni se çështja Beleri po pengon anëtarësimin e Shqipërisë në BE?

Ilir Meta: Unë mendoj se çështja Beleri është një çështje e qartë, në të cilën gjithë bota mund të shohë që në Shqipëri sundimi i ligjit nuk ekziston. Grupet kriminale mbështetën hapur kandidatët e Ramës, duke dhunuar hapur vullnetin e njerëzve.

Share it :