Seanca për Berishën e Malltezin/ Gjokutaj: Dorëzuam akt-ekspertimin që rrëzon SPAK

Seanca për kreun e PD-së, Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezin është shtyrë sërish këtë të premte. E radhës u caktua të mbahet më 12 mars, ora 15:00, kur gjykata do të shprehet për ankimin e Berishës dhe Malltezit, që kërkojnë heqjen e masës së sigurimit personal “arrest shtëpie” ndaj tyre.

Genc Gjokutaj, avokati i kryedemokratit Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezit, sqaroi për gazetarët pas seancës se këtë të premte, u dorëzua një gjykatë një provë e re nga mbrojtja. Avokati shpjegoi se bëhet fjalë për një akt-ekspertimi kontabël që sipas tij, rrëzon pretendimet e SPAK se Malltezi ka konsumuar veprën personale dhe pastrimit të parave dhe korrupsionit.

“Akt ekspertimi kontabël shpjegon të gjithë ecurinë e historisë së zotit Malltezi që në kundërshtim me ç’kërkon prokuroria, gjithçka është shpjeguar. Akti është depozituar dhe i jep përgjigje çështjes së korrupsionit për zotin Malltezi dhe bashkëpunimit më tej me zotin Berisha. Çështje absurde, por ndonjëherë absurdi do më shumë kohë për t’u sqaruar. Akti i ekspertimit vërteton që procedura ka qenë e rregullt, nuk ka pastrim të produktit të veprave penale”, tha Gjokutaj.

Në seancën e sotme, mbrojtja depozitoi një kërkesë të re për përjashtimin nga shqyrtimit të çështjes, së gjyqtares Irena Gjoka. Kërkesë kjo e paraqitur edhe më herët, por e rrëzuar nga gjykatat.

Berisha dhe Malltezi akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për vepra penale të korrupsionit në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”. Ndaj Malltezit, rëndon edhe akuza e pastrimit të parave.

Akuza që janë cilësuar të paqena si nga Berisha ashtu dhe dhëndri i tij Malltezi. Të dy janë shprehur se procesi ndaj tyre është tërësisht politik, i orkestruar nga kryeministri Edi Rama, kundërshtari politik i kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Share it :