Një bazë armësh që furnizonte me municione grupet kriminale është zbuluar nga Policia e Durrësit. Një operacion i koduar “Hills” përfundoi me arrestimin e shtetasve, Hekuran Troplini, 20 vjeç dhe Emiljano Pasha, 19 vjeç, të dy banues në fshatin Shkallnur, Durrës.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë muajve të fundit, kanë shitur sasi armatimi dhe municioni luftarak.
NJOFTIMI
Falë inteligjencës policore të siguruar nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe një hetimi proaktiv disamujor nën drejtimin e Prokurorisë u finalizua operacioni policor i koduar “Hills”, në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”.
Sekuestrohen 4 armë zjarri kallashnikovë, 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 4 celularë, 1 motomjet, një sasi lënde e dyshuar cannabis dhe një shumë parash. Vihen në pranga 2 shtetas.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj armëmbajtjes pa leje dhe parandalimit të ngjarjeve kriminale, specialistët e Sektorit kundër Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, bazuar në inteligjencën policore, për dy shtetas që mbanin një sasi armatimi të fshehur dhe ua shitnin grupeve kriminale, referuan materialet në Prokurori e cila regjistroi procedimin penal. Si rezultat i hetimit disamujor me metoda proaktive dhe në drejtimin e Prokurorisë, u siguruan prova ligjore mbi veprimtarinë kriminale të mbajtjes së një sasie armatimi, me qëllim furnizimin e grupeve kriminale.
Në këtë kuadër dhe në zbatim të planit operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Hills”. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë në fshatin Shkallnur, duke shitur armë zjarri luftarake kallashnikovë, shtetasit:
H. T., 20 vjeç dhe E. P., 19 vjeç, të dy banues në fshatin Shkallnur, Durrës.