Athina është bërë skenë e protestave të dhunshme studentore. Ata hodhën bomba molotov ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës, disa orë përpara se parlamenti të miratonte legjislacionin që do të lejojë hapjen e universiteteve të huaja private në vend.
Mijëra studentë kanë protestuar kryesisht në mënyrë paqësore për javë të tëra kundër reformës që ata thonë se do të zhvlerësojë diplomat nga universitetet publike, por zemërimi u shfaq teksa kryeministri Kyriakos Mitsotakis u kërkoi ligjvënësve ta votojnë projektligjin.
Ligji i rikërkon të bëjë diplomat ekuivalente mes të dyjave, teksa universitete të huaja do të lejohen të hapen në Greqi, me status OJQ dhe pa paguar taksa, megjithëse do të marrin pagesa për studimin.
Një protestues 19-vjeçar, tha për agjencinë e lajmeve AFP se reforma do të “minonte” diplomat universitare publike dhe do të kërcënonte kolegjet rajonale në qytetet më të vogla greke.Studentët më të pasur do të jenë në gjendje të regjistrohen me nota më të ulëta. Ata thjesht do të paguajnë dhe do të marrin një diplomë”, tha ai.
Mitsotakis, i cili fitoi një mandat të dytë në qershor të vitit të kaluar, tha se projektligji do të ndihmojë përafrimin e Greqisë me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian dhe rritjen e konkurrencës në arsimin e lartë. Partitë opozitare kundërshtojnë miratimin e ligjit, duke pretenduar se është në kundërshtim me Kushtetutën.
Reformat e arsimit në Greqi shpesh janë të etiketuara politikisht dhe aktivizmi universitar është historikisht i lidhur me lëvizjet pro-demokracisë, por është përdorur gjithashtu si strehë për grupet e dhunshme protestuese.