Meçollari: Si marrëveshja speciale mes Shqipërisë dhe Greqisë për “Vijën e Drejtë Bazë” rezulton në dorëzim territori prej 40 km katror

0
98

Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, ka paralajmëruar se një marrëveshje speciale mes Shqipërisë dhe Greqisë për në Hagë që do e konsiderojë vijë e drejtë bazë të Shqipërisë mosdakordësi midis palëve do të rezultojë në dorëzim territori me një sipërfaqe prej 40 km².

Ai ka shpjeguar rëndësinë e kësaj “vije”, që nga shpallja për herë të parë në 9 Mars 1970 dhe deri në ditët e sotme, ku është njohur nga të gjitha shtetet fqinjë, si dhe është përdorur për delimitimin e shelfit kontinental me Italinë në vitin 1992.

Postimi i Artur Meçollarit:

9 mars 1970 – Shqipëria shpalli për herë të parë vijën e drejtë bazë

Datë në të drejtën kombëtare të detit

Çdo llojë marrëveshje speciale me Greqinë për në Hagë që do e konsiderojë vijë e drejtë bazë të Shqipërisë mosdakordësi midis palëve do të rezultojë në dorëzim territori me një sipërfaqe prej 40 km².

Me Dekretit nr. 4650, datë 9 mars 1970, “për kufirin shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë”, Shqipëria për herë të parë përcaktoi vijën e drejtë bazë përgjatë bregdetit të detit Adriatik. Ky dekret mbylli me vijë të drejtë bazë nga kepi i Rodonit deri tek kepi i Gjuhëzës.

Dekretit nr. 4650, datë 9 mars 1970, rikonfirmoi gjerësinë e detit territorial 12 milje detare të Shqipërisë, gjerësi në përputhje me Konventën e OKB mbi Detin Territorial të vitit 1958. Nga viti 1946 deri në vitin 1961 Shqipëria kishte ndryshuar disa herë gjerësinë e detit territorial 1) deri 9 dhjetor 1946 e papërcaktuar, por e pranuar 3 milje detare nga e drejta zakonore ndërkombëtare e detit, 2) VKM nr. 168, datë 9 dhjetor 1946, zgjeroi gjerësinë e detit territorial në 6 milje detare, 3) Dekreti nr. 1535, shtator 1952, zgjeroi gjerësinë e detit territorial në 10 milje detare, dhe 4) Dekreti nr.3321, shtator 1961, zgjeroi gjerësinë e detit territorial në 12 milje detare.

Dekretit nr. 4650, datë 9 mars 1970 do të ndryshonte dy herë deri në vitin 1990. Me dekretin Nr. 5384, 23 shkurt 1976 vija e drejtë bazë do të përmirësohej dhe kështu do të mbyllej gjiri i Drinit dhe rajoni bregdetar jugor nga gjiri i Gramës deri tek kepi i Mërtesës (Deti Jon). Po me këtë dekret gjerësia e detit territorial të Shqipërisë do të shpallej 15 milje detare. Duke nisur nga viti 1946 kalimi paqësor i anijeve të luftës nëpër detin territorial të Shqipërisë lejohej vetëm me leje paraprake.

Me dekretin Nr. 7366, datë 24 mars 1990, u ndryshua përsëri Dekretit nr. 4650, datë 9 mars 1970. Ndryshimet konsistoni në zvogëlimin e gjerësisë së detit territorial të Shqipërisë nga 15 milje në 12 milje dhe heqjen e kufizimit për leje paraprake për kalimin paqësor të anijeve të luftës nëpër detin territorial të Shqipërisë. Dekreti nr. 4650, datë 9 mars 1970, me ndryshimet që solli dekreti Nr. 7366, datë 24 mars 1990, u depozituan në OKB në korrik 1990.

Ligji i mëvonshëm nr. 8771, datë 19.4.2001, konfirmoi vijën e drejtë bazë të përcaktuar në vitin 1970 dhe të përmirësuar në vitin 1976. Kjo vijë e drejtë bazë e Shqipërisë vijon të jetë ende në fuqi, pavarësisht se u shfuqizua në vitin 2008 dhe u fuqizua përsëri në vitin 2012.

Vija e drejtë bazë ka fituar tashmë legjitimitet. Ajo është përdorur për delimitimin e shelfit kontinental me Italinë në vitin 1992. Nuk është kontestuar më nga SHBA mbas vitit 1990. është pranuar nga Greqia në negociatat e vitit 2018 dhe ka një efekt 40 km² në delimitimin e detit territorial me Greqinë dhe nuk është kontestuar nga Mali i Zi dhe as isj Jugosllavia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here