Plagosja në Shkodër, 30 plumba u qëlluan drejt policit dhe kunatit të tij

Të paktën 30 plumba janë derdhur ndaj Gjergj Ndërshtiqajt, 28 vjeç, student i Akademisë së Sigurisë, dhe kunatit të tij, Gjon Nika, të cilët mbetën të plagosur në një atentat, që ndodhi mbrëmjen e së martës në fshatin Grudë e Re në Shkodër.

Ende nuk dihet se kush ishte objektiv i atentatit, ndërsa raportohet se ndaj automjetit ku ndodheshin Ndërshtiqaj dhe Nika është qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Nga raportimet, në momentin që është hapur zjarr Nika dhe Ndërshtiqaj kanë braktisur automjetin ku ndodheshin, duke vrapuar mes një fushe, port ë dy kanë mbetur të plagosur. Ndërsa makina e tyre është djegur nga atentatorët, të cilët pas ngjarjes, jo shumë larg vendit të atentatit, kanë djegur edhe makinën me të cilën lëviznin.

Sipas raportimeve, në këtë ngjarje janë përdorur tre kallashnikovë.

Dy të plagosurit kanë marrë plagë të rënda dhe ndodhen nën kujdesin e mjekeve në spitalin e Shkodrës.

Drejt Shkodrës, në ndihmë të Policisë vendore janë nisur disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe të RENEA-s, si dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Gjergj Ndershtiqaj, i cili mbeti i plagosur këtë të martë në fshatin Grudë e Re në Shkodër është vëllai i drejtorit rajonal të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Shkodër, Marjan Ndershtiqaj.

Policia ka ngritur postoblloqe në disa nga pikat kyçe të qytetit, ndërsa po analizohen kamerat e sigurisë, të një lokali pranë vendit të ngjarjes.

Share it :