Kur orari i mësimit bëhet orari i vdekjes

0
100

Qyteti i Fierit u trondit ditën e djeshme nga vrasja e Greit, 19 vjeçari i cili kishte lënë orët e mësimit për “t’u sqaruar” me disa bashkëmoshatarë të tij, të cilët përgjatë sherrit e vranë me thikë.

Normalisht ngjarje të tilla tragjike ku të rinjtë vriten ose plagosen për hiçgjë shkaktojnë trishtim dhe shqetësim të përgjithshëm, sidomos tek prindërit që kanë fëmijë në atë moshë, apo më të vegjël. Ata ndihen të pasigurt për të mbrojtur fëmijët që ju ka rënë fati jetojnë në një realitet kur mund të vdesësh në një ditë normale, për një arsye absurde.

Histori si kjo e djeshmja ka patur plot në Shqipëri vitet e fundit.

Nga përdorimi i armëve e deri te përplasjet me thika, ngjarjet e dhunës kanë shënuar histori tragjike në korridoret apo oborret e shkollave shqiptare. Le të hedhim një vështrim kronologjik në këtë kronikë të errët përgjatë orareve kur nxënësit duhet të ishin në mësim:

2014: Një djali i mësueses kujdestare hyri në një shkollë në Vlorë me armë dhe qëllon bashkëmoshataren e vet me armë në shpatull. Ngjarja u klasifikua si aksidentale, por të gjithë mbeten të tronditur nga mungesa e sigurisë në ambientet e shkollës.

2015: Një përplasje me thika mes adoleshentëve në Shkollën N. Frashëri në Durrës përfundoi me dy të plagosur rëndë.

2016: Një nxënës 17-vjeçar u plagos rëndë me thikë pranë shkollës në Lezhë, tregon një herë tjetër mungesën e sigurisë së shkollës dhe nevojën për masat e rrepta paraprake.

2022: Sherr me thika në një shkollë 9-vjeçare në Kamëz.

2023: Tragjikisht, një nxënës 15-vjeçar vritet në Gramsh, pas një sherri banal.

Mars 2024: Dhuna vazhdon. Shkrepjet me armë përballë shkollës në Rrillë, Lezhë, çojnë në pezullimin e mësimit. Pas disa ditësh, një tjetër ngjarje – plagosje me thikë pranë shkollës Urani Rumbo.

Shumica e ngjarjeve të mësipërme nuk kanë ndodhur në ambientet e shkollës dhe rrjedhimisht askush nuk ka mbajtur përgjegjësi ligjore por as morale.

Por ajo që kanë të përbashkët këto ngjarje është fakti se ato ndodhën gjatë orarit të mesimit, në momente kur prindërit besonin se fëmijët e tyre ndodheshin në ambientet më të sigurta të mundshme.

Ngjarjet janë të përsëritura dhe shoqëria nuk bën asgjë më shumë se sa thjesht t’i raportojë apo të shprehë zemërimin.

Në vend që të shërbejnë si histori për të ndezur një debat të gjatë dhe për të ndryshuar kulturën e dhunës në shkolla dhe jashtë tyre, ngjarjet shpesh përfundojnë si një temë e kaluar dhe hidhen në koshin e artikujve që harrohen pasi vjen historia e radhës, edhe më tronditëse se e para.

Kjo sjellje reflekton mungesën e përkushtimit të vërtetë për të ndryshuar situatën dhe për të siguruar që këto ngjarje të tragjedisë së pamundur të mos ndodhin sërish.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here