Turistët nga Kosova lënë pas Shqipërinë, i drejtohen plazheve të Greqisë

0
103

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i këtij viti e gëzojnë të drejtën e lëvizjes pa viza. Heqja e vizave kë bërë që udhëtimet jashtë shtetit të rriten, por deri tani destinacioni kryesor del të jetë Greqia, shkruan nga Prishtina, Fatos Shala për Monitor.

Qytetarët e Kosovës muajve të fundit shumicën e fundjavave po i kalojnë në Greqi, konkretisht në Selanik.Për dy ditë të kaluar në këtë shtete rezulton se janë duke shpenzuar goxha shumë para.Madje, sipas Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), qytetarët e Kosovës për të vizituar Selanikun dhe vendet të tjera të Greqisë, po shpenzojnë mbi 1 milion euro.

Greqia po bëhet vendi më i preferuar i shtetasve të Kosovës për të vizituar gjatë javës sidomos pas janarit të këtij viti, që mesatarisht në javët e kaluara kanë ikur mbi 2500 vizitorë për fundjave, për të vizituar Selanikun dhe vendet të tjera të Greqisë, mesatarisht po shpenzojnë mbi 1 milion € për konsume, sigurime të makinave dhe blerje”, sipas një studimi të AKB-së.

Sipas AKB-së këto vizita po i bëjnë të mundura edhe ofertat e lira të kompanive turistike.

“Këtë po e bëjnë të munduar edhe organizimet të ndryshme me autobus të disa kompanive dhe agjencive turistike me oferta të lira nga Kosova për të shkuar në Selanik për vetëm 8 euro”.

Aleanca Kosovare e Biznesit thotë se pas liberalizimit të vizave po përfitojnë disa shtete që tradicionalisht ishin të vizituara nga qytetarët deri rreth viteve 91.

“Nga liberalizimi i vizave për Kosovën më së shumti po përfitojnë shtet që tradicionalisht ishin të vizituara nga Kosovarët deri rreth viteve 91 kur shtetet e EU aplikojnë viza për ish-Jugosllavinë’.

Ruzhdi Kurtishaj, pronar i një agjencie turistike, ka treguar se udhëtimet e qytetarëve të Kosovës nga 1 janari janë shtuar për më shumë se 100%.

Destinacionet sipas tij janë të ndryshme, si Greqi, Kroaci, Hungari, Bullgari e Austri.

“Po e marr shembull Greqinë, pasi është vendi më i frekuentuar. Vitin e kaluar, në këtë shtet kemi udhëtuar një herë në javë me një autobus, ndërsa, aktualisht, udhëtojmë tri herë në javë me gjashtë autobusë”.

Ai thotë se kapaciteti i një autobusi është për 50 deri në 80 udhëtarë, ndërsa bileta kthyese nga Prishtina deri në Selanik – rreth 330 kilometra larg – është 20 euro.

Nëse bëhet llogaritja vetëm me shifrat e kësaj agjencie, i bie që së paku 300 qytetarë udhëtojnë çdo javë drejt Greqisë dhe vetëm për bileta shpenzojnë së paku 6.000 euro.

Të dhënat nga Policia e Kosovës, tregojnë se nga 1 janari deri në mësoj e muaji shkurt mbi 1.7 milion qytetarë kanë dalë nga kufiri tokësor i Kosovës, ndërsa kanë hyrë mbi 1.6 milion.

Kurse, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, kanë treguar se ka rritje të numrit të udhëtarëve në dhe nga Kosova.

Numri i përgjithshëm në muajin janar ka qenë mbi 287 mijë, krahasuar me mbi 266 mijë sa ka qenë në janar të vitit 2023.

Liberalizimi i vizave, megjithatë, nuk mund të shfrytëzohet për qëllime punësimi, por vetëm vizita turistike.

Për punësim në një vend të BE-së duhen vizë dhe leje e posaçme.

Kosova ka qenë e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që fitoi të drejtën e lëvizjes së lirë.

Shtetasit nga Kosova zinin 43% të hyrjeve totale në 2023

Shqipëria ka qenë destinacioni kryesor i shtetasve nga Kosova për shkak të afërsisë, por edhe pamundësisë për të udhëtuar në vendet e BE-së. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023 nga Kosova kanë hyrë rreth 4.4 milionë vizitorë me një rritje prej 67 për qind sa i takon vitit 2022. Hyrjet e shtetasve nga Kosova zunë 43% të totalit të shtetasve të huaj. Këta të fundit në 2023-n arritën rekord, duke e kaluar shifrën e 10 milionë.

Ndërkohë, shumë shtetas nga Kosova nga 1 janari po kryejnë udhëtime turistike edhe përmes Rinasit, kryesisht në qytetet e Italisë, duke u regjistruar në hyrje si turistë që vijnë në Shqipëri!/MONITOR

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here