Gjatë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme agjentët e Byrosë Kombetare të Hetimit kanë zbuluar një faturë ku nga llogaria bankarë e shoqërisë “DAAM ShPK”, në një bankë të nivelit të dytë është paguar shoqëria Arlo Travel Blu Tour Operator sh.p.k., me një vlerën 5,000 Euro.
Sipas verifikimeve të kryera nga agjentët e BKH rezulton se shoqëria “DAAM” sh.p.k., ka paguar këtë shumë për një paketë turistike për shtetasin Evis Berberi dhe familjen e tij (bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur).
Paketa turistike për kreun e ARRSH, Evis Berberi dhe familjen e tij, ka përfshirë udhëtimin me avion nga Tirana ne Antalia që sipas këqyrjes rezulton se nisja është bërë me date 12.08.2020 dhe kthimi me date 22.08.2020.
Në këtë çmim kishte të përfshirë akomodimin ne hotelin “Regnum Carya Golf & Spa Resort” ne Belek, Antalia, Turqi, me dhome “Luxury”, së bashku me ushqimin “Luxury all inclusive”.
Nga procesverbali i këqyrjes dhe marrjes së të dhënave nga sistemi TIMS, rezulton se shtetasi Evis Berberi, bashkëshortja e tij, Adela Ruko si edhe dy fëmijët e mitur, me date 12.08.2020 kanë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës se kalimit kufitar Rinas, me linjën “Charter -Antalia 670-ll” dhe kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë me date 22.08.2020, nëpërmjet pikës se kalimit kufitar Rinas me linjën “Charter-Antalia 670-671”.
Gjatë kontrollit të banesës së Evis Berberit e bërë më 20 shkurt të vitit 2024 janë gjetur edhe sekuestruar shumë të konsiderueshme si 15, 675 euro, 3,075 paund dhe 1,436,000 lek./oranews