Nga Ola XAMA
Raporti i Vlerësimit Kombëtar të Riskut “vulos” industrinë e ndërtimit dhe tregun e pasurive të patundshme si aktivitetin kryesor ku pastrohen paratë e pista. Raporti konstaton se kanali kryesor i transmetimit të parave me origjinë krimin është sistemi bankar, ndërsa profesionet që lehtësojnë këto aktivitete janë noterët dhe kontabilistët.
Pra, nëse në Shqipëri pastrohen para, thotë Agjencia e Inteligjencës Financiare (ish-DPPP), sektori kryesor është ndërtimi. Vepra penale që ka si burim kryesor paratë e pista është trafiku i lëndëve narkotike, evazioni fiskal dhe korrupsioni.
Një tipologji që dallohet e përhapur në masë së fundi, është injektimi i parave me burim të paligjshëm në kompani ekzistuese prej vitesh, çka tregon se tregu kriminal po nënshtron ekonominë prodhuese duke e vënë në funksion të tij.
Tashmë etja për të pastruar paratë po shkakton pasoja të rënda sociale jo vetëm në rritjen e çmimeve për shtresën e mesme dhe të varfër, zënien e hapësirave publike dhe reduktimit të shërbimeve komunitare, por një kosto e pallogaritur është dëmi në shëndet nga ndotja si pasojë e infrastrukturës së ngarkuar.
Në pjesën dërrmuese të rasteve të hetuara nga autoritetet për dyshimin e pastrimit të parave, skema klasike e zbuluar lidhet me sektorin e ndërtimit ose me atë të shit-blerjeve të pasurive të patundshme. Vullneti për të ndalur këtë fenomen mungon, ndërsa tregu mirëpret me krahë hapur çdokënd që vjen të bëjë këtë punë.
Dhe kjo nuk ka mëdyshje, mjafton të ngresh kokën lart.