“Gabimet e Ballukut në llogaritje”, KLSH zbulon dëmin financiar që u bëri xhepave të qytetarëve!

0
86

Por çfarë shkruhet në kontratën koncesionare për Fierin?

Në kontratë shkruhet se Njësia e Zbatimit të Projektit është e përbërë nga dy përfaqësues nga Autoriteti që ka lidhur kontratën, në këtë rast 2 përfaqësues nga Ministria e Mjedisit, 1 përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe dy zyrtarë nga Bashkia e Fierit.

Por gjatë Komisionit Hetimor në momentin që deputetja e opozitës, Dhurata Çupi ka pyetur Ballukun për kompetencat e Ministrisë së Infrastrukturës mbi Njësinë e Zbatimit të Projektit, diskutimi për këtë çështje i shpëtoi mikrofonit.

Nga të dhënat e siguruara për dosjen e inceneratorëve bie në sy fakti se në hije qëndrojnë anëtarët e Njësisë së Zbatimit të Projektit, të cilët kanë përgjegjësi për monitorimin e kontratës nga Ministritë dhe Bashkitë.

Një detaj i vogël por i rëndësishëm, nga ku SPAK mund të zgjeronte rrethin e personave që kanë lejuar shpërdorimin e parave publike, në lidhje me pagesat për shërbimeve të pakryera.

Për më tepër, opozita shqiptare ka patur rezerva në këtë drejtim, pasi sipas tyre, SPAK mund të kishte bërë më shumë me hetimet.

Vetëm për inceneratorin e Elbasanit, në total janë paguar rreth 31 milionë euro nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, si dhe nga Ministria e Infrastrukturës.

Ndërkohë shifrat  për inceneratorin e Fierit sipas pagesave të thesarit nga Open Data shkon rreth 33 milionë euro.

Në lidhje me mbetjet urbane, Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon se raporti i dorëzuar nga Ministria e Infrastrukturës te Ministria e Ekonomisë është jashtë afateve.

Nga dokumentet evidentohet se diferenca midis shpenzimeve që ka deklaruar Ministria e Infrastrukturës dhe asaj që realisht është kryer, rezulton 1 miliardë e 338 milionë lekë ose 13 milionë euro për mbetjet urbane.

Për inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist, Alqi Bllako si dhe tre administratorët e kompanive të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë dënuar për vepra penale të lidhura me aferën e inceneratorëve, ndërsa ish zv. kryeministri Arben Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar nga SPAK.

Audititi i KLSH ka evidentuar edhe dëm ekonomik në tendera, ku gabimet e Ministrisë së Infrastrukturës kanë sjellë keqllogaritje të fondeve publike.

Një ndër këto tendera, është kontrata për shërbimet inxhinierike të pavarura për zbatimin e projektimit, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Porti i Jahteve-Bypass Orikum, Dukat.

Sipas audituesve, kjo procedurë ka rezultuar me keqllogaritje të fondit limit.

Në raport theksohet se ky gabim nga Ministria e Infrastrukturës u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 156 milionë lekë ose rreth 1.6 milionë euro më shumë.

Sipas KLSH MIE:

“Sa më sipër vlera për shpenzimet e rimbursueshme prej 155,695,418 lekë me TVSH (186,930,000 lekë -31,234,582 lekë) është e paargumentuar dhe e pajustifikuar mbi bazat ligjore nga grupi i hartimit të specifikimeve dhe fondit limit, vlerë e cila është përfituar padrejtësisht nga sipërmarrësi i “Shërbimeve inxhinierike të pavarura për zbatimin e Kontratës Koncesionare/PPP” në dëm të buxhetit të shtetit” thuhet në dokumentin e KLSH.

Dyshimet për korrupsion me këtë tender përforcohen kur zbulojmë mënyrën se si është bërë gara për tenderin në vitin 2021.

Në garë kanë marrë pjesë 6 kompani, por 5 janë skualifikuar nga Ministria e Infrastrukturës pasi nuk plotësonin kushtet, duke e shënuar tenderin me flamur të kuq me indicie për fitues të paracaktuar.

Më 4 maj 2021, skualifikimi i konkurrentëve ka shpallur automatikisht fitues bashkimin e kompanive “Gjeokonsult & Co” në pronësi të Xhevahir Mustafës dhe “Geosat Group”, me ofertë 1 milionë lekë më pak se fondi limit. Kujtojmë se “Gjeokonsult & Co”, është e njëjta kompani që ka marrë në mbikqyrje kontratën për Shkallën e Tujanit, e akorduar përtej parashikimeve të buxhetit për Rrugën e Arbrit.

KLSH-ja është ndalur edhe mbi shpronësimet dhe procedurat e kryera nga Ministria e Infrastrukturës dhe Agjencia Shtetërore e Shpronësimit, ku sipas audituesve nuk janë ndjekur praktikat e negocimit.

Konkretisht në aktet nënligjore që rregullojnë procesin për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik nuk janë përditësuar me  qëllim përshtatjen e tyre me ndryshimet ligjore.

Nga dokumentacioni rezultoi se përgjatë periudhës së auditimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Agjencia Shtetërore e Shpronësimit kanë zhvilluar 187 procese gjyqësore për shpronësimin, të cilat sipas KLSH-së nëse do të kishin ndjekur praktikën e negociatave, do të sillnin ulje të faturës së shpronësimit për buxhetin e shtetit.

Ndërkohë që Inceneratorët kanë “djegur” vetëm para, rrugët financohen e ri financohen pa plane të qarta. Por shkeljet dhe dëmet e shkaktuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë cënuar drejtpërdrejt buxhetin e shtetit duke u bërë një barrë e rëndë për shqiptarët.

Megashkeljet në proceset e tenderave, koncensioneve dhe sidomos rishqyrtimet e buxheteve financiare për projektet rrugore të pasqyruara në raportet e KLSH, nuk eklipsojnë edhe auditimet e fundit nga KLSH-ja./BW/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here