Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi është shprehur se opozita ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike që do të kujdeset për zgjedhjet e vitit 2025.
Komentet Boçi i bëri në Euronews Albania, ku tha se kjo çështje është diskutuar edhe me faktorin ndërkombëtar dhe ka një dakordësi nga ana e tyre se kjo gjë duhet realizuar.
Boçi tha se, vetëm në këtë formë mund të ketë garanci fillestare të votës së shqiptarëve, shoqëruar më pas edhe me ndërhyrjet dhe adresimet e tjera.
“Tani po hyjmë në detaje teknike, për të cilat nuk jam kompetenti për këtë gjë. Ka rëndësi që diskutohet në PD që Rama të ikë njëherë e mirë. Të realizohet qeveria teknike dhe rruga e realizimit përmes Parlamentit, apo qeveri teknike e marrëveshjes politike, forma bipartizane, nuk ka rëndësi fare. E rëndësishme është që të kemi një qeveri teknike që është përgjegjëse për procesin zgjedhor.
Ideja e qeverisë teknike është e biseduar me ndërkombëtarët dhe ka një dakordësi nga ana e tyre që duhet realizuar, sepse vetëm në këtë lloj forme mund të ketë një garanci fillestare të votës së shqiptarëve, më pas shoqëruar edhe me ndërhyrjet e tjera, adresimet e të gjitha vërejtjeve që ka dhënë OSBE-ODIHR, por edhe me pasurimin e masave penalizuese, me qëllim për të ruajtur drejtësinë e votës. Ajo që gjithmonë mungon, por edhe që ekziston gjithmonë në politikë është koha.
Kur jemi pak më shumë se 1 vit para zgjedhjeve, besoj se koha është e mjaftueshme, gongu i ndryshimeve bie 6 muaj para zgjedhjeve. Janë 6 muaj të artë, ku mund të bëhen këto ndryshime. Sinjalet nga PS për qeveri teknike gjithmonë janë të zbehta, është një parti hermetike dhe nuk ka zëra që mund të transmetojnë ide. I vetmi zë që artikulon vendimet është zëri i kryeministrit”, tha Boçi.