Reformave të munguara në arsim – edukim, po ua përpijnë fondet inceneratorët !

0
114

Nga Ndriçim Kulla: 

Arsimi tashmë është kthyer në  një katrahurë  mësimore dhe edukative.Objektivi i çdo drejtuesi është i kufizuar si të ndajmë disa para të ponderuara dhe një menaxhim formal i këtij sektori  sipas një tradite të ndryshkur duke mos pasqyruar  dhe zhvilluar prioritetet e kohës në këtë drejtim.

Dhe një nga prioritetet e kohës që kërkonte medoemos zhvillimin e një reforme krijuese duhej të ishte mësuesi si instucion themelor i arsimit.

Dëshira e reformave aktuale në jetën tonë edukative nuk mund të sigurohen pa përparimin dhe zhvillimin e personalitetit të mësuesve, në pikëpamjen metodike dhe didaktike. Mësuesi i epokave, si kjo e jona, nuk duhet ta shkrijë energjinë dhe kujdesin e tij vetëm brenda mureve të ngushta të shkollës. Lufta e gjithë jetës së sotme shoqërore për kulturën, e cila dita-ditës duhet të bëhet më e organizuar dhe më e qendërzuar, i ngarkon mësuesit dhe pedagogut detyrat më të rënda, më delikate, por dhe më të shenjta.

Ai mësuesi, i cili nuk i ka kuptuar dhe nuk i ka rrokur që në rrënjë pikat themelore të detyrës së tij shoqërore, nuk mund të bëhet një element i dobishëm as për reformën e shkollës e as për kombin. Ja pse në mes të gjithë lëvizjes përparimtare që na paraqet jeta jonë shoqërore, shkencore dhe ekonomike, mësuesi duhet të jetë faktori kryesor i reformave. Por, nga ana tjetër, pikërisht falë këtij misioni që i cakton koha, mësuesi duhet të jetë në qendër të përkujdesjes dhe mirëtrajtimit që duhet të ndjekë ndaj tij politika jonë arsimore.

Por mësuesi është nga kategoritë shoqërore më të diskriminuara të shoqërisë sonë për të cilin shteti nuk  ka vizion më të tepërt se sa ta shikoj thjesht si një votues.

Megjithatë, ashtu siç pat shkruar që në fillim të zbatimit të reformës së vet të famshme shkollore Maria Montessori, njëra nga figurat më të mëdha të pedagogjisë botërore, “problemi i arsimimit të mësuesve është një nga problemet e para të kulturës popullore. Është pikërisht ai problemi shoqëror, nga zgjidhja e të cilit mund të presim fitimin e një qytetërimi më të mirë”.

Mirëpo, gjithçka e tillë – përtej një qëllimi – është një lëvizje që në thelb lyp strategji,   metodikë dhe një filozofi të re edukimi. Por nuk ka as shenjën më të thjesht për një shqetsim apo strategji nga qeverisja aktuale.   Së dyti, për të arritur në një edukatë të tillë pedagogjike duhet të kuptohet me çdo kusht se nuk mjafton një punë mekanike, bazuar mbi disa parime të mykura që kufizohen veç në të mësuarin e fjalës pedagogji. Gjithashtu, nuk mjafton një mësim i thjeshtë e i shpejtë i historisë apo i hyrjes së filozofisë. Duhet pra, përveç një studimi psikologjik-pedagogjik të thjeshtë, edhe një studim estetik. Por studimi  kërkon investim, ndërsa investimi mungon.

Duhet më tej një punë metodike shkencore, e cila duhet të jetë në lidhje të ngushtë me sociologjinë e individit shqiptar, të unifikojë qëllimet përfundimtare të edukatës në formën e një kulture të re popullore, harmonike dhe unike. Edhe në këtë drejtim duhen para. E, së fundi, duhet edhe një filozofi e re edukimi. Por edhe filozofia kërkon mbështetje për të lulëzuar . Duhen zhvilluar politika leximi  me programe instucionale ku shteti nëpërmjet kujdesit  profesional dhe financiar duhet të vrasë mëndjen për të zgjeruar bazën e frekuentimit të leximit me literaturë të rekomanduar ose të instruktuar sipas problemeve të veçanta, në një kohë që leximi është në një krizë të pa parë kurrë më parë.Po qe se beteja për arsimin do kufizohet vetëm tek menazhimi si të ndajmë disa para të ponderuara, arsimin e përpiu mediokriteti më keq se çfarë po i ndodh tani .

Reformave të munguara në arsim – edukimit po ua përpijnë fondet inceneratorët.

Miliona euro të dedikuara dhe të miratuara në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për arsimin, kaluant tek inceneratori që nuk ekziston dhe që është nën sekuestro..

E njëjta gjë ndodhi vitin e kaluar me buxhetin e Ministries Arsimit dhe që është planifikuar edhe për këtë vite.

“Kultivimi i kapaciteteve teknike, pa kuptuar se ç’është, për shembull, liria në thelb, shpie drejt luftërave dhe shkatërrimit, pra, pikërisht drejt asaj ç’ka ndodhi aktualisht në botë”, – ka shkruar që në vitin 1953 Jiddu Krishnamurti, konsideruar një nga mendjet më të mëdha të shekullit XX, njëkohësisht edhe një nga mjeshtrit më të mëdhenj të edukimit. “E kjo, sepse që ta mbushësh mendjen e të rinjve me sa më shumë informacion, për t’i shtrënguar ata t’i kalojnë me sukses provimet (praktikë kjo më se e gjithanshme e shkollës sonë), është forma më pak inteligjente e edukimit”. Prej këtij arsyetimi rrjedh edhe diviza e tij e përsëritur shpesh, sipas së cilës, “qëllimi final i edukimit është kuptimi sa më i drejtë i lirisë, i dashurisë njerëzore dhe i “lulëzimit të mirësisë”, si faktorët thelbësorë të transformimit të shoqërisë”. Në këtë këndvështrim, liria duhet të trajtohet më tepër si e brendshme në karakter, sesa si liri politike. Pse, mos vallë, nëse i “dominojmë” fëmijët apo nëse i shtrëngojmë t’i përshtaten një shembulli a një modeli, sado elitar apo idealist qoftë ai, ata do të jenë vërtet të lirë? Përkundrazi! Ndaj, nëse do të donim të bënim një “REFORMË” të vërtetë në fushën e edukimit, atëherë pikënisja i tij duhet nis medoemos nga  liria, çka do të thotë që prindërit dhe mësuesit së bashku duhet t’u edukojnë fëmijëve fillimisht lirinë, e jo t’i ndihmojnë ata të bëhen të këtillë a të atillë.

E kjo, pasi liria gjendet në të kuptuarin e asaj çfarë ti je nga momenti në moment. Në këtë sens, të kuptosh jetën do të thotë të kuptosh vetveten; e kjo është njëherësh fillimi dhe fundi i edukimit. Aq më tepër, që të zbulosh se çfarë dëshiron të bësh, është gjëja më e vështirë. Andaj, kjo duhet të jetë një pjesë e rëndësishme e edukimit të përgjithshëm të fëmijëve, në mënyrë që ky i fundit të jetë vërtet i ndihmuar të përcaktojë ç’ka dëshiron më shumë në jetë – qoftë edhe në fushën profesionale – me gjithë zemër, me gjithë shpirt. Pasi, s’ka shumë rëndësi se çfarë zgjidhet: thelbësore është që njeriu t’i japë asaj zemrën dhe mendjen e vet. Le të citojmë këtu, si dëshmi të historisë së zhvillimit të konceptit të edukimit, fjalët që një Krishnamurt 17-vjeçar ka shkruar në vitin 1912: “Nëse uniteti i jetës dhe barazia e qëllimit të saj do të arrihet t’u mësohet nxënësve thellësisht dhe qartësisht, sa të shndritshme do të jenë shpresat njerëzore për të ardhmen!”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here