Lajmi se dhëndri i ish-presidenti amerikan Donald Trump ka në plan të investojë në Shqipëri dhe Serbi ka bërë xhiron e mediave më të rëndësishme botërore. “Kushner zhvillon marrëveshje jashtë shtetit edhe kur vjehrri i tij kandidon për president” – e titullon gazeta New York Times shkrimin e saj. Në shkrim thuhet se dhëndri i Donald Trump, i cili ishte gjithashtu një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, ka konfirmuar se është afër finalizimit të projekteve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri dhe Serbi.
“Jared Kushner, dhëndri i Donald J. Trump, konfirmoi të premten se ai po mbyllte marrëveshje të mëdha të pasurive të paluajtshme në Shqipëri dhe Serbi, shembulli më i fundit i familjes së ish-presidentit që bën biznes jashtë vendit, edhe pse zoti Trump kërkon të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Planet e zotit Kushner në Ballkan duket se kanë ardhur pjesërisht përmes marrëdhënieve të ndërtuara gjatë kohës që zoti Trump ishte në detyrë. Kushner, i cili ishte një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, tha se kishte punuar për marrëveshjet me Richard Grenell, i cili shërbeu për një kohë të shkurtër si ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare nën Trump dhe gjithashtu si ambasador në Gjermani dhe i dërguar i posaçëm në Ballkan. Një nga projektet e propozuara do të ishte zhvillimi i një ishulli në brigjet e Shqipërisë në një destinacion turistik luksoz” – thuhet në shkrimin e NYT.
Gazeta nënvizon se si projekti i Shqipërisë, edhe ai i Serbisë përfshijnë toka të kontrolluar tani nga qeveritë, që do të thotë se një marrëveshje do të duhej të finalizohej me qeveritë e huaja.
“Një projekt i tretë, gjithashtu në Shqipëri, do të ndërtohej në gadishullin e Zvërnecit, një zonë bregdetare prej 1000 hektarësh në jug të Shqipërisë që është pjesë e komunitetit turistik të njohur si Vlorë, ku do të ndërtoheshin disa hotele dhe qindra vila sipas planit” – thuhet në shkrim.
“Zoti Grenell është aktivizuar vazhdimisht në Instagram dhe llogari të tjera në rrjetet sociale për të promovuar turizmin në Shqipëri dhe për të lavdëruar kryeministrin Rama. “Unë mbështes vizionin e Ramës për Ballkanin”, – tha zoti Grenell në një intervistë televizive në vitin 2021. Unë e dua Shqipërinë dhe ftoj investitorët amerikanë në vend” – citon NYT që zbulon edhe planet e arabëve për të investuar në Shqipëri.
“Qeveria e Arabisë Saudite njoftoi kohët e fundit se po kërkonte mënyra për të rritur investimet e saj në Shqipëri, së pari duke ndihmuar në ndërtimin e shërbimeve të ujit, energjisë elektrike dhe kanalizimeve pranë zonave të plazhit në Vlorë, që është pika e nisjes për në Sazan dhe ku një aeroport i ri ndërkombëtar tashmë po ndërtohet. Ajo ka thënë se dëshiron të investojë deri në 300 milionë dollarë në vend.
Në fillim të këtij muaji, zyrtarët sauditë udhëtuan në Shqipëri për të njoftuar krijimin e atij që ata e quajnë Këshillin e Biznesit Saudi – Shqipëri “për të krijuar një partneritet të ri ekonomik midis dy vendeve”, duke përfshirë projektet turistike. Kryetari saudit i grupit, Abdulrahman Al-Mufarreh, nuk iu përgjigj kërkesave për koment” – shkruan NYT. ©LAPSI.al