Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Tapizë në Fushë-Krujë. Policia thotë se ka arrestuar një 42-vjeçare, Leta.K, pasi dyshohet se ka vrarë pasi ka lindur foshnjën e saj.
Policia thotë se ngjarja ka ndodhur sot (18 mars), rreth orëve të mëngjesit dhe dyshohet pasi e ka lindur në ambientet e banesë së saj, duke pretenduar se ka vdekur, e ka futur në një qese dhe më pas e ka hedhur në bregun e lumit të Tapizës.
Burime për gazetarin e Report Tv Sokol Dema bëjnë me dije se Leta K. është e martuar dhe nënë e 3 fëmijëve të tjerë të mitur. Fëmijën e ka lindur në kushte shtëpie dhe askush nuk e ka ditur që është shtatzëne, as burri i saj, këtë të paktën ka deklaruar ai para hetuesve.
Menjëherë pasi e ka lindur e ka marrë fëmijën, e ka mbështjellë me qese plastmasi dhe e ka hedhur. Pasi gruaja ka shkuar në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore, është zbuluar që ka qenë shtatzëne. Fillimisht para hetuesve ka pretenduar se foshnja ka lindur e vdekur dhe për këtë arsye e ka hedhur në lum, por që nuk e mbante mend vendin fiks ku e ka hedhur, por disa orë më vonë ka rrëfyer.
Hetuesit e kanë me rezerva deklaratën e saj që fëmija ka lindur i vdekur dhe për këtë arsye po hetohet për veprën penale të vrasjes. Nuk dihet shkaku që fshihet pas këtij veprimi, por nuk përjashtohet mundësia që fëmija të jetë nga një marrëdhënie jashtëmartesore.
Foshnja, pavarësisht kërkimeve të policisë nuk është gjetur pasi dyshohet se e ka marrë rrjedha e lumit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaluan shtetasen L. K., 42 vjeçe, banuese në Tapizë, për veprën penale “Vrasja e foshnjes”.
Kjo shtetase, ditën e sotme, rreth orëve të mëngjesit, dyshohet se pasi ka lindur foshnjen në ambientet e banesës së saj, duke pretenduar se ka lindur e vdekur, e ka futur në një qese dhe më pas e ka hedhur në bregun e lumit të Tapizës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.