ABSURDI/ Qeveria do harxhojë 6.6 milionë euro për Strategjinë e Migracionit por nuk tregon se sa shqiptarë janë larguar nga vendi

0
285

Qeveria shqiptare pritet të harxhojë 6.6 milionë euro për Strategjinë e Migracionit, por ka një paradoks të madh, pasi nuk ka dhënë shifra se sa shqiptarë janë larguar nga vendi.

Ministria e Brendshme ka hartuar Strategjinë e Migracionit për 6 vitet e ardhshme, konkretisht 2024-2030 dhe Planin e saj të Veprimit 2024-2026, ku azilantëve shqiptarë të kthyer nga vendet e BE-së parashikohet t’u sigurohen mundësi të reja punësimi dhe arsimimi profesional, me qëllim riintegrimin e tyre.

Deri këtu nuk ka asnjë problem por ajo çfarë është absurde është se në këtë Strategji, nuk ka një shifër të shqiptarëve të cilët janë larguar nga vendi.

Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e planit të veprimit të dokumentit strategjik të Migracionit 2024 – 2030, për periudhën e parë 3-vjeçare është rreth 727,9 milionë lekë, ose rreth 6,6 milionë euro.

Për periudhën afatmesme 2024-2026, shpenzimet e planifikuara në buxhetet e institucioneve përgjegjëse janë rreth 391.8 milionë lekë, të cilat janë planifikuar në buxhetin vjetor dhe Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026.

Miratimi i kësaj Strategjie vjen edhe si pjesë e detyrimeve kombëtare dhe e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për të përfunduar me sukses negociatat për Kapitullin 24 (Drejtësia,) të Acquis të BE-së, e cila përcakton qeverisjen e migracionit si një çështje thelbësore.

Megjithatë shqiptarët vijojnë të largohen nga vendi, në vitet e fundit dhe shifrat që vijnë nga agjencitë e huaja janë të frikshme.

Për shumë shqiptarë jeta në vendin e tyre është shumë e vështirë dhe si rezultat në këto dy dekadat e fundit një numër i madh i janë drejtuar vendeve të tjera për të siguruar jetesën, drejt Greqisë e Italisë fqinje, vendeve të BE-së.

Kjo si pasojë e kushteve të vështira ekonomike, mungesa e vendeve të punës dhe shumë faktorë të tjerë.

Shifrat ndërkohë flasin vetë.

Shtetasit shqiptarë vijojnë të kryesojnë në raport me shtetasit e tjerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor për numrin e lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Europian.

Sipas raportit më të fundit të Agjencisë Europiane për Azilin, shqiptarët paraqitën vetëm gjatë muajit nëntor të vitit 2023 rreth 892 aplikime për azil në vendet e Bashkimit Europian.

Sipas raportit prirja e të gjithë shtetasve nga Ballkani është të kërkojnë azil në tre vende të Bashkimit Europian: Francë, Gjermani dhe Itali. Shqiptarët kanë edhe numrin më të lartë të kërkesave për azil që mbeten në pritje në vendet e Bashkimit Europian për t’u shqyrtuar.

Po ashtu shqiptarët përbejnë kombësinë më të madhe, që ka aplikuar për azil në Britaninë e Madhe në vitin 2022.

Ndërkohë projeksionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara rrisin alarmin.

Sipas projeksioneve të OKB, rrezikohet që në Shqipëri, në vitin 2100 të jenë 514 mijë banorë, ose sa gjysma e popullsisë që ka sot Tirana.

Vlen të përmendet se po ashtu mungojnë edhe të dhënat për shqiptarët të cilët jetojnë në vend.

Kjo pasi ende nuk janë publikuar të dhënat e Censit, të realizuar pak kohë më parë. Këto të dhëna pritet të publikohen në qershor të këtij viti.

Ajo çfarë duhet thënë është se emigracioni, mbetet një luftë e heshtur për Shqipërinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here