Një kallëzim i pazakontë ka mbërritur në SPAK, për shoqërinë aksionere të pastrimit dhe diferencimit të mbetjeve urbane “Eco Tirana”, duke kërkuar nga struktura e posaçme ndjekjen penale për disa zyrtarë dhe pronarë të kësaj kompanie.
Kallëzimi penal është referuar nga një studio avokatie në Tiranë, e cila kërkon nga SPAK ushtrimin e ndjekjes penale ndaj administratores së shoqërisë “Eco Tirana”, Anjeza Çapllani për akuzën e “Shkeljes së pabarazisë në tendera dhe ankande publike” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Kjo kompani organizon dhe menaxhon tenderat e pastrimit të qytetit të Tiranës, ndërkohë edhe vetë rezulton të jetë e përfshirë në këtë proces, ku është specifikuar në grumbullimin dhe diferencimin e mbetjeve urbane.
Për të njëjtat akuza kërkohet ndjekja penale edhe për kompaninë mëmë të kësaj shoqërie “AGSM Holding ALBANIA” dhe pronarin e kësaj kompanie, italianin Andrea Miglioranzi.
Sipas kallëzimit të paraqitur në SPAK, ”ECO Tirana” është një kompani që administrohet nga Anjeza Çallpani, në fushën e Manaxhimit të shërbimeve mjedisore.
“Eco Tirana” ka dy pronarë përfitues të cilët janë, Bashkia e Tiranës dhe subjekti tregtar “AGSM Holding Albania”, e cila është në likuidim e sipër.
Subjekti tregtar “AGSM Holding ALBANIA” është krijuar në datën 3 maj 2016, dhe ka si ortak, “AMIA VERONA” dhe “AGSM AIM”, kjo kompani ka si likujditator shtetasin Italian, Luca Signorini.
“…firma “AMIA VERONA” është biznes i grupit mafioz “Ndragheta…”-thuhet në kallëzim.
Ndërkohë në kallëzim nënvizohet se duke ju referuar një prononcimi të Partisë Demokratike, kompania Veroneze e plehrave, po hetohet nga Antimafia italiane.
Në kallëzimin penal thuhet se në media është ngritur akuza se “Eco Tirana” edhe pse merrte detyrimin që do ndryshonte gjendjen e administrimit të mbetjeve të Tiranës, nuk e bën diferencimin e mbetjeve, por vetëm i ngarkon në kamionët e saj dhe i çon grumbull te landfilli i Sharrës.
“…të njëjtin mekanizëm pune që bën shoqëria private “Fusha”, e cila pastron qytetin, e bën dhe shoqëria “Eco Tirana…”- thuhet në kallëzimin penal.
Më tej në kallëzim thuhet se firma “AGSM VERONA” është biznes i grupit mafioz “Ndragheta”, gjë të cilën duhet ta hetojë SPAK. Madje objekt i kallëzimit është dhe kërkesa për të hetuar kontratën koncesionare dhënë me afat 84 vjeçar deri në vitin 2100, kur sipas ligjit lejohet deri në 30 vite me ligj parlamenti e jo me vendim bashkie.