Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, deklaroi se sot është seanca e fundit për Parkun Kombëtar të Butrintit dhe se janë duke pritur që Gjykata Kushtetuese të bëjë drejtësi duke mos lejuar dhënien e tij me koncesion dhe ndarjen në parcela, përfshirë një pjesë për ndërtime.
Në një deklaratë para mediave në hyrje të Kuvendit, Zhupa numëroi të gjithë agjencitë dhe organizmat e huaja që kanë dalë kundër synimit të qeverisë shqiptare për ta dhënë me koncesionin trashëgiminë e çmuar të shqiptarëve.
“Nuk e kuptoj se si një qeveri mund të mbajë qëndrimin që “OKB nuk ka rëndësi, – tha Zhupa. – që Konventa e Parisit që e ka ratifikuar parlamenti shqiptar nuk ka rëndësi, se si fondet dhe njohja që vjen nga UNESCO nuk ka rëndësi. Kjo tregon se ata janë të zhytur thellë në këtë aferë saqë çdo gjë nuk ka rëndësi, përveçse ka rëndësi të jetë mirë Adf-ja, koncensionari që merr Butrintin.
Nga ana tjetër, Kuvendi është treguar me një mungesë integriteti teksa ka sjellë në Gjykatën Kushtetuese “copy-paste”, paragrafët e koncensionarit, duke treguar që janë në shërbim të koncensionarit, duke sjellë edhe atë modelin që Klodian Zoto shkruante e-mailet nga zyra për koncensionarin e inceneratorëve dhe ministria e miratonte. Tani është Kuvendi, ai që ia shkruan koncensionari dhe i sjell Kuvendi në Gjykatën Kushtetuese.
Sot është e fundit për Butrintin, në një betejë dyvjeçare dhe sot kemi një qëndrim të qartë se nuk është vetëm opozita që e ka kundërshtuar por është edhe UNESCO kundër koncesionit të Butrintit, është kundër mënyrës sesi pritet që të menaxhohet Butrinti, duke e parcelizuar atë dhe duke e ndarë në pjesë dhe ca pjesë të parashikuara për ndërtime; është kundër Bordit të Drejtorëve, po ata nuk kanë as kapacitet për ta menaxhuar dhe propozon një model që e propozojmë dhe ne ku shteti-palë ka rolin parësor dhe koncensionari mund të japë thjesht donacione.
Sot ne presim drejtësi nga Gjykata Kushtetuese, të ndjekë interesin publik dhe shtetëror. Sot në orën 3 me orën amerikane bëhet një protestë e thirrur nga ish-kongresmeni DiGuardi me organizata dhe shqiptarë të Amerikës që protestojnë pro Butrinit, kundër qasjes së Adf dhe pro mbrojtjes së trashëgimisë sonë botërore.”